Ibrahimaj: Investimet, eksportet dhe tranzicioni i gjelbër do të jenë shtyllat kryesore të ekonomisë deri në vitin 2030

Ekonomi | 11 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë forumit “Albania’s Steady Rise as a Regional Economic Centre”, deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku investimet, eksportet dhe tranzicioni i gjelbër do të jenë shtyllat kryesore të ekonomisë deri në vitin 2030.

Ibrahimaj theksoi se vendi ka kaluar nga një model i mbështetur te konsumi dhe shërbimet, drejt një ekonomie moderne që synon produktivitet, inovacion dhe vlerë të shtuar vendase.

Sipas saj, pesë vitet e fundit kanë sjellë rritje të qëndrueshme, ulje të papunësisë dhe borxhit, si edhe inflacion të kontrolluar, duke krijuar bazën për një ritëm më të shpejtë zhvillimi.

“Pesë vitet e fundit kanë treguar qartë një rritje të qëndrueshme, ulje të papunësisë dhe borxhit, si edhe një inflacion të kontrolluar nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Këto janë tregues që Shqipëria është gati për një ritëm edhe më të shpejtë zhvillimi”, u shpreh ministrja.”

Në lidhje me integrimin europian, ministrja nënvizoi se negociatat nuk janë thjesht një objektiv politik, por një plan pune i lidhur me modernizimin ekonomik.

Kapitujt e parë që pritet të mbyllen lidhen me tregun e përbashkët europian dhe rritjen e standardeve të prodhimit e konkurrueshmërisë.

Një tjetër prioritet është rritja e eksporteve dhe industrializimi i tyre. Strategjia e re e eksporteve, që pritet të miratohet këtë vit, synon zhvendosjen e Shqipërisë drejt prodhimit final dhe integrimit më të thellë në zinxhirët e furnizimit europian.

Tranzicioni i gjelbër u cilësua si një mundësi e jashtëzakonshme. Shqipëria, me avantazhin e prodhimit të energjisë së pastër, synon të bëhet eksportues neto energjie deri në vitin 2030. Ibrahimaj i ftoi bizneset të investojnë në teknologji të zgjuara, efikasitet energjetik dhe ulje të karbonit.

Kapitali njerëzor u vlerësua si themeli i çdo transformimi. Ministrja theksoi se arsimi dhe biznesi duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur të rinjtë me aftësi bashkëkohore, në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Pjesëmarrja e kompanive vendase dhe investitorëve ndërkombëtarë në forum u cilësua si dëshmi e besimit në ekonominë shqiptare.

“Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një platformë rajonale zhvillimi”, u shpreh Ibrahimaj, duke nënvizuar se vendi është në rrugën e duhur drejt një transformimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme