Verifikimi paszgjedhor për zgjedhjet e 11 majit 2025, kontrollohen 183 qendra votimi dhe votat e diasporës, ja shifrat e rinumërimit

Politikë | 11 muaj më parë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e verifikimit paszgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke zbuluar disa parregullsi në numërimin fillestar të votave, të cilat gjithsesi nuk cenojnë rezultatin final të certifikuar.

Në sitën e KQZ-së kanë kaluar 183 kuti votimi, nga të cilat 160 i përkisnin votimit brenda vendit dhe 23 Komisioneve të Administrimit të Votimit Jashtë Vendit (KAVJ). Ky proces, i bazuar në nenin 167/2 të Kodit Zgjedhor, shërben për të matur performancën e administratës zgjedhore dhe saktësinë e numërimit.

Nga hapja e kutive dhe rinumërimi i fletëve të votimit, kanë rezultuar disa shmangie nga rezultati zyrtar i shpallur në maj. Gabimet më të dukshme janë vërejtur në favor të disa prej partive, të cilave u janë gjetur më shumë vota se sa kishin realisht në kuti.

Sipas raportit të KQZ:

Koalicioni PD-ASHM rezulton se ka pasur 11 vota më shumë nga sa duhej të kishte realisht.

Partia Socialdemokrate (PSD) rezulton me 7 vota më shumë se numri real i gjetur në kuti.

Partia Socialiste (PS) dhe Partia Mundësia rezultojnë gjithashtu me nga 3 vota më shumë se sa u takonin.

Partia Koalicioni Euroatlantik dhe Lëvizja Atdheu kishin nga një votë më tepër.

Nga ana tjetër, verifikimi ka treguar edhe minuset. Lëvizjes Bashkë i janë hequr 3 vota, ndërsa Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare rezulton me minus 3 vota. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet rezultoi me një votë më pak nga rezultati i shpallur.

Qëllimi i verifikimit

KQZ sqaron se ky proces kryhet me përzgjedhje rastësore (duke prekur rreth 10% të qendrave të votimit) ose me kërkesë të palëve, vetëm pasi të jenë mbyllur të gjitha procedurat ankimore.

Ligji parashikon qartë se rezultatet e verifikimit paszgjedhor nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe as në ndarjen e mandateve, por shërbejnë për të evidentuar shkeljet dhe për të përmirësuar administrimin e proceseve të ardhshme.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme