BE lëvizje urgjente për të ngrirë përgjithmonë 210 mld euro asete ruse, anashkalohet vetoja e Orban

Bashkimi Evropian po përgatitet të ndërmarrë një hap drastik dhe të paprecedentë ligjor brenda kësaj jave, me qëllim bllokimin e përhershëm të 210 miliardë eurove asete sovrane ruse.
Sipas të dhënave të publikuara nga e përditshmja prestigjioze Financial Times, Brukseli synon të miratojë këtë vendim përpara samitit të liderëve më 18-19 dhjetor. Qëllimi është i qartë: t’i hiqet nga dora kryeministrit hungarez Viktor Orban “armën” e vetos, duke shmangur procesin e zakonshëm të rinovimit të sanksioneve çdo gjashtë muaj.
Për të realizuar këtë, zyrtarët e BE-së po planifikojnë të aktivizojnë Nenin 122 të Traktatit, një klauzolë që lejon miratimin e masave ekonomike të emergjencës.
Ndryshe nga vendimet standarde të politikës së jashtme që kërkojnë unanimitet (të gjithë 27 vendet dakord), Neni 122 kërkon vetëm shumicë të kualifikuar. Kjo lëvizje e zhvesh Hungarinë nga mundësia për të bllokuar vendimin, një strategji që Budapesti e ka përdorur shpesh për të fituar lëshime nga Brukseli.
Gara me kohën dhe faktori SHBA
Diplomatët që po ndjekin dosjen argumentojnë se kjo lëvizje e shpejtë është jetike për të mbrojtur pozicionin negociues të Evropës.
Sipas Financial Times, nxitimi për të miratuar legjislacionin synon të “blindojë” fondet përpara se të nisin bisedimet e mundshme të paqes për Ukrainën, të cilat pritet të udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara pas ndryshimit të administratës atje.
Duke i ngrirë asetet pa afat, BE siguron që ato të mbeten një levë presioni ndaj Moskës ose një burim financimi për Kievin, pavarësisht luhatjeve politike të momentit.
Komisioni ka propozuar që këto asete të shërbejnë si garanci për një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila do të disbursohet gjatë dy viteve të ardhshme.
Por plani nuk është pa rreziqe të brendshme. Përveç zemërimit të pritshëm të Hungarisë, një tjetër pengesë e fortë vjen nga Belgjika, vendi ku mbahet pjesa dërrmuese e aseteve ruse (nëpërmjet Euroclear).
Kryeministri belg, Bart De Wever, ka lëshuar një paralajmërim të fortë. Ai ka bërë të ditur se Belgjika nuk e përjashton mundësinë e ankimit ligjor nëse detyrohet të pranojë këtë vendim përmes Nenit 122. Brukseli zyrtar kërkon një marrëveshje “të ndershme” dhe i trembet pasojave juridike dhe financiare që mund të bien mbi supet e shtetit belg nëse mekanizmi miratohet me forcë kartonësh dhe jo me konsensus.
Analistët paralajmërojnë se kjo lëvizje rrezikon të krijojë përçarje afatgjata mes kryeqyteteve evropiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




