Inceneratori i Fierit- GJKKO liron nga qelia pas 4 vitesh ish-ministrin Lefter Koka

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është liruar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas kalimit të afatit të paraburgimit për çështjen e inceneratorit të Fierit.
Për inceneratorin e Fierit, Koka ishte dënuar më 23 shtator 2023 me 10 vite burg, por në dhjetor 2024 Apeli i GJKKO vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim në shkallën e parë. Më 21 tetor 2025, Gjykata e Lartë vendosi që dosja të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO.
Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit. Në vitin 2023 ai u dënua me 5 vite e 8 muaj burg, por në korrik 2025 gjykata e Durrësit i njohu të drejtën e lirimit me kusht, duke vendosur që gjatë periudhës së mbetur të dënimit të mbajë kontakte të rregullta me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepra penale.
Ndërkohë, për inceneratorin e Tiranës, më 16 prill 2025, Koka u dënua me 3 vite burg nga GJKKO ,një vit më pak se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, por ky vendim ende nuk ka marrë formë të prerë.
“Kërkuesi Lefter Koka ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit Lefter Koka, me vendimin nr.22, datë 23.06.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësorë në datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe e lënë në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.03.2022, të po kësaj gjykate”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin nr. 798, datë 11.12.2025, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.22 datë 26.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masë e ekzekutuar më datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe masë e vijuar me vendimin Nr.23, datë 31.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Lefter H. Koka, në zbatim të nenit 263/6/c të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka, nga ambjentet e paraburgimit, përveçse nëse ndaj këtij shtetasi ka ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues parashikuar nga nenet 238 K.Pr.Penale, urdhër ndalimi, apo dënim tjetër penal me burgim të formës së prerë, të pavajtuar.
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




