Pengmarrja e 39-vjeçarit nga Kosova në Vlorë/ Motra nga Suedia ngriti alarmin, u rrëmbye dhe dhunua nga tre persona për pagesën 70 mijë euro

Aktualitet | 11 muaj më parë

Një 39-vjeçar nga Kosova është mbajtur peng për dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu” të Vlorës, derisa forcat e policisë kanë ndërhyrë dhe e kanë liruar atë. Sipas burimeve hetimore, Fisnik Xhaka, 39 vjeç, ishte rrëmbyer dhe dhunuar nga tre të rinj nga Vlora, të cilët kërkonin prej tij 70 mijë euro.

Policia ka arrestuar Julian Zogajn, 25 vjeç, Orest Çorapajn, 18 vjeç, dhe Vilson Agajn, 35 vjeç, të tre banues në fshatrat e zonës së Lumit të Vlorës, të dyshuar si autorët e rrëmbimit dhe dhunimit të Xhakës.

Sipas hetimeve paraprake, Xhaka kishte dalë garant ndaj tre të arrestuarve për një sasi lënde narkotike me vlerë 70 mijë euro, e cila do të merrej nga persona në Europë. Pasi pagesa nuk u krye, tre të dyshuarit kanë marrë peng 39-vjeçarin duke i kërkuar paratë për të cilat ai kishte dalë garant.

39-vjeçari nga Mitrovica u mbajt për 2 javë me dhunë në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij.

Denoncimi është bërë nga e motra e Xhakës, e cila ndodhej në Suedi dhe ka njoftuar menjëherë policinë për rrëmbimin e vëllait.

Gjatë operacionit të kryer nga Policia e Vlorës dhe forcat Operacionale, në banesën ku mbahej peng Xhaka, pronë e Julian Zogajt, u gjetën dhe u sekuestruan sasi kanabisi si dhe një radio komunikimi e ngjashme me ato të përdorura nga efektivët e policisë.

Fisnik Xhaka është dërguar fillimisht në spital për ndihmë mjekësore, ku ka marrë trajtim për shembje dhe gërvishtje në trup e në këmbë. Pas mjekimit, ai është larguar dhe sipas burimeve nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë.

NJOFTIMI I POLICISË

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hostage”.

Mbajtën peng dhe dhunuan një shtetas nga Kosova, me qëllim përfitimin e 70 000 eurove, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, pas marrjes së informacionit nga familjarët se një pjesëtar i familjes së tyre mbahej peng në një apartament në qytetin e Vlorës, organizuan menjëherë punën për lokalizimin e banesës, kapjen e autorëve dhe lirimin e shtetasit të mbajtur peng.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve:

• J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij.

Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,

“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme