Rikuaklifikimi urban në Bushat, kryebashkiaku Shkreli, janë 16 rrugica që përfshihen në projekt
Bashkia Vau Dejës ka nisur zbatimin e projektit “Sistemim, asfaltim i rrugëve të brendshme Bushat”, një investim i domosdoshëm që vjen pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit dhe nevojës për rikualifikim urban në këtë zonë.
Kryebashkiaku i Vau Dejës, Kristian Shkreli, u shpreh se projekti përfshin 16 rrugica, të cilat prej vitesh kishin mbetur jashtë vëmendjes, duke krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim. Prej më shumë se tre dekadash banorët e Bushatit kanë pritur një ndërhyrje të tillë.
“Kemi filluar rikonstruksionin e rrugicave të fshatit Bushat. Janë 16 rrugica të cilat do të shtrohen, do të asfaltohen dhe do të ndriçohen. Ky investim ka 30 vjet që kërkohet nga banorët e Bushatit dhe këtë vit po bëhet realitet.”
Rrugët e amortizuara dhe mungesa e infrastrukturës kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e tyre, sidomos të nxënësve gjatë ditëve me reshje, kur kalimi bëhej pothuajse i pamundur.
Afati i punimeve është parashikuar të jetë 6 muaj, por kompania kontraktuese ka deklaruar se synon ta përfundojë projektin përpara këtij afati. Investimi pritet t’i japë zonës një pamje të re, të rrisë sigurinë në lëvizje dhe të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës për banorët e Bushatit, të cilët prej vitesh kërkojnë rikualifikim të plotë urban.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




