Abissnet Superiore në RTSH: Partizani mund Flamurtarin, Ze Gomesh nderon Elbasanin përballë Vorës

Kanë përfunduar 2 ndeshjet që hapën javën e 16-të të kampionatit Abissnet Superiore në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Partizani mposht 2-1 Flamurtarin në “Arenën e Demave”, ndërsa në “Elbasan Arena”, një gol i Ze Gomesh në minutat shtesë i jep një fitore të çmuar Elbasanit përballë Vorës.
E bukur, plot emocione dhe raste ka qenë sfida e transmetuar në RTSH Sport mes Partizanit dhe Flamurtarit. Vlonjatët kanë disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por golin e gjejnë vendasit, që shënojnë në pjesën e parë me Isgandarlin.
VAR-i bëhet protagonist në pjesën e dytë në “Arenën e Demave”, ku akordohen 2 penallti. Fillimisht vlonjatët barazojnë me Markun, por më pas sërish nga 11-metrat Skuka kalon në avantazh “të kuqtë”.
Mbyllet 2-1 për Partizanin një ndeshje e bukur dhe e luftuar. “Të kuqtë” marrin fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe ngjiten në kuotën e 23 pikëve në klasifikim, ndërsa vlonjatët ngelen në kuotën e 13 pikëve në vendin e parafundit në renditje.
E bukur ka qenë edhe sfida e transmetuar në RTSH 2 mes Vorës dhe Elbasanit. Verdheblutë fitojnë në frymën e fundit, falë një goli të shënuar nga Ze Gomesh në kohën shtesë. Elbasani fiton 1-0 dhe ruan kreun e renditjes, tashmë në kuotën e 32 pikëve. Vora “dorëzohet” në fund dhe pëson humbjen e radhës në kampionat.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




