Noka: Më 22 Dhjetor nisim protestat pa kthim, duam qeveri teknike

Politikë | 11 muaj më parë

Pas mbledhjes së Kryesisë, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka njoftoi se të hënën e javës së ardhshme, më 22 dhjetor, ora 17:00, opozita do të zbresë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas numrit dy të PD-së, kjo nuk do të jetë një protestë e izoluar, por fillimi i një cikli që nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit politik.

“Protesta e ditës së hënë do të jetë e para, sepse do të zhvillohen protesta pa ndalim. Do të vazhdojmë ciklin e protestave derisa qeveria teknike të trokasë në vendin tonë dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të lira,” deklaroi Noka për mediat.

Noka akuzoi Ramën për kontroll total mbi çdo pushtet në Shqipëri.

“Në Shqipëri reforma në drejtësi ka vdekur. Edi Rama është drejtësia, është ekzekutivi, është media dhe legjislativi,”, tha ai, duke theksuar se pa zgjedhje të lira, pluralizmi nuk ka më kuptim.

Një çështje e nxehtë e diskutuar ishte ajo e firmave të deputetëve të PD për Avokatin e Popullit. Noka sqaroi se partia ka bërë një hap pas dhe ka kërkuar ndjesë për këtë veprim, duke konfirmuar tërheqjen e firmave që më datë 2 dhjetor.

“Partia Demokratike, nëpërmjet kryetarit, ka kërkuar ndjesë publike ndaj demokratëve dhe qytetarëve për një gabim të bërë në një moment emocional,” u shpreh ai.

Gjatë deklaratës, Noka bëri edhe një denoncim lidhur me presione ndaj anëtarësisë në qarkun e Elbasanit.

“Kemi informacione dhe ankesa nga Elbasani se Suel Çela ka telefonuar dhe ka kërcënuar demokratët që të mos merrnin pjesë në foltoren e Sali Berishës,” tha Noka.

Në mbyllje, ai ritheksoi se e vetmja rrugë për stabilizimin e Shqipërisë është dorëheqja e Edi Ramës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme