Gjurmët që la COVID-19- Faktorët ndikues tek divorcet, ekspertët: Rritet mosha e çifteve që kërkojnë të ndahen
Sot kanë ndryshuar faktorët ndikues në rritjen e numrit të divorceve, ndërsa është rritur mosha e çifteve që kërkojnë zgjidhje të martesës. Ky është një përkufizim që bën bashkë avokatë e psikologë.
“Ato të cilat zyrtarisht paraqiten në gjykatë janë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes çifteve dhe ky është shkaku kryesor. Ka çifte që kanë më shumë se 3 vite nuk jetojnë bashkë, jetojnë të ndarë për shkak të emigracionit. Së dyti janë tradhtitë bashkëshortore, edhe ky është një shkak që çon në zgjidhje të martesës dhe gjendja financiare”, tha avokati Alban Daci.
“Në ditë e sotme kemi një rritje të numrit të gjinisë femërorë e cila i ka dhënë prioritet shkollimit të tyre. Janë sensibilizuar sa i përket ashpërsimit të ligjit dhe mundësitë që ata kanë për të dalë nga një marrëdhënie e dhunshme”, u shpreh sociologia Arjana Muçaj.
Nëse një çift i moshuar zgjedh t’i ndajnë shtretërit më vete për rehati, për të tjerë mungesa e afrimitetit bëhet shkak për divorc.
“Nuk kemi vetëm të rinj, por kemi edhe mosha të mëdha që i takojnë moshës së tretë. Mund të tregoj një rast ku dy të moshuar, bashkëshorti kërkon ndarjen nga bashkëshortja pasi bashkëshorti pa që në një moment, edhe pse ishin te rreth të 70-tat, nuk kishin më një lidhje emocionale mes tyre. edhe xhelozia është një nga faktorët që e mbyt një marrëdhënie”, shpjegoi Muçaj.
Ekspertët argumentojnë për mungesën emocionale mes dy partnereve dhe rritjen e agresivitet, në periudhën post COVID.
“Për çiftet që kishin vite që jetonin bashkë, thoshin që marrëdhënia jonë është shkatërruar apo që kanë nisur konfliktet pas pandemisë”, deklaroi avokati Daci.
“COVID na la 24 orë në 24 me partnerët dhe kjo tregoi sesa mirë e njohim njëri-tjetrin, sesa mirë jemi ne të përshtatur me ato që ne i themi mangësitë apo mungesat që ka njëri apo tjetri partner. Mos të harrojmë edhe dhunën në familje që u bë shumë prezente në atë periudhë dhe pjesa më e madhe pothuajse vuajtën gjatë qëndrimit brenda gjirit të familjes të të dy partnerëve bashkë. Pjesa më e madhe të gjithë faktorëve që ndikojnë janë të lidhur jo vetëm me pjesën ekonomike, por edhe me pasigurinë që kemi ne për të ardhmen tonë”, theksoi sociologia Muçaj.
Të parit e divorcit si një trend përbën anën negative të tij, pasi pasojat janë të rënda sidomos për fëmijët. Ndaj kjo kërkon një luftë të vazhdueshme në ruajtjen e familjes.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




