KQZ nis verifikimin paszgjedhor për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit 2025: 24 qendra votimi do të kontrollohen

Politikë | 11 muaj më parë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur sot shortin për përzgjedhjen rastësore të qendrave të votimit që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të mbajtura më 9 nëntor 2025.

Ky proces zhvillohet në zbatim të nenit 167/2 të Kodit Zgjedhor dhe realizohet vetëm pasi të jenë shpallur rezultatet përfundimtare dhe të jenë mbyllur procedurat ankimore.

Duke qenë se për këto zgjedhje nuk pati ankimime, shortit iu nënshtruan të gjitha qendrat e votimit.

Në zgjedhjet e 9 nëntorit u administruan gjithsej 472 kuti votimi. Përzgjedhja u bë në mënyrë të barabartë për çdo bashki dhe KZAZ, duke respektuar kriterin e 5% të qendrave të votimit për çdo zonë. Nga ky proces rezultoi se 24 qendra votimi do të kontrollohen në total.

KQZ thekson se këqyrja e mëpasshme e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore ka si synim kryesor verifikimin e rregullsisë dhe saktësisë së veprimtarisë së administratës zgjedhore, duke forcuar besimin e publikut në integritetin e procesit zgjedhor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme