Malaj: Strategjia afatmesme e borxhit, fokus te huamarrja me kosto të ulët

Ekonomi | 11 muaj më parë

Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, e miratuar tashmë nga qeveria, ka si objektiv kryesor garantimin e një huamarrjeje me kosto sa më të ulët dhe nxitjen e zhvillimit sa më efikas të tregut të titujve shtetërorë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka theksuar se kjo strategji synon të rrisë jetëgjatësinë e borxhit, veçanërisht atij të brendshëm, të ulë ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe të sigurojë një menaxhim të qëndrueshëm të borxhit publik.

Sipas tij, ky dokument është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe përmirësimit të menaxhimit të borxhit në vitet e ardhshme.

Në buxhetin e vitit 2026 parashikohet që borxhi publik të ndjekë një trajektore rënëse, duke zbritur në rreth 53,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 54,1% që pritet të jetë në fund të vitit 2025.

 Qeveria ka planifikuar të sigurojë 45 miliardë lekë në tregun e brendshëm, kryesisht përmes titujve afatgjatë, me synimin për të ulur risqet dhe për të përmbushur preferencat e investitorëve vendas.

Ndërkohë, në tregun e jashtëm huamarrja e re do të orientohet drejt financimit të projekteve prioritare dhe mbështetjeve buxhetore, me një vlerë totale prej rreth 47 miliardë lekësh, ndërsa huamarrja neto do të qëndrojë në rreth 10,3 miliardë lekë pas përfshirjes së ripagimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme