Udhëheqësit europianë nënshkruajnë traktatin për krijimin e organit ndërkombëtar për dëmet e luftës në Ukrainë

Botë | 11 muaj më parë

Zyrtarë të lartë evropianë kanë nënshkruajnë traktatin për krijimin e një organizate ndërkombëtare për të vendosur mbi kompensimin që Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës dhe për krimet e dyshuara të luftës.

“Komisioni Ndërkombëtar i Kërkesave për Ukrainën” do të shqyrtojë dhe do të vendosë për dhënien e kompensimit, si dhe për shumën që duhet të paguhet, duke përfshirë të dhënat e mbledhura nga “Regjistri i Dëmeve”, në të cilin janë paraqitur tashmë afërsisht 80,000 kërkesa për kompensim nga individë, organe publike ose organizata.

Themelimi i kësaj organizate pritet të miratohet gjatë një konference të organizuar nga Holanda dhe që zhvillohet sot në Hagë, me pjesëmarrjen e dhjetëra zyrtarëve evropianë, përfshirë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shefen e politikës së jashtme evropiane Kaia Kallas.

Mekanizmi i kompensimit do të koordinohet nga Këshilli i Evropës me seli në Strasburg, i cili ka 46 shtete anëtare dhe është i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinent.

Rusia u përjashtua prej tij në mars të vitit 2022 pas pushtimit të Ukrainës.

Hapi tjetër do të jetë krijimi i një fondi kompensimi, por funksionimi i tij nuk është sqaruar ende, kryesisht sepse çështja e përdorimit të mundshëm të aseteve të ngrira ruse është pezull.

Një plan evropian për të përdorur këto asete ka mbështetjen e shumë vendeve të BE-së, por përballet me kundërshtim të fortë nga Belgjika, ku ndodhet depozita e Euroclear. Shumica e aseteve të ngrira ruse mbahen atje dhe Belgjika është e shqetësuar për potencialin e sfidave ligjore nëse ato përdoren.

Udhëheqësit e BE-së do ta diskutojnë çështjen në një samit që fillon të enjten.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme