Gara për Avokatin e Popullit, Jola Hysaj: Krenare për standardin

Jola Hysaj, një nga kandidatet në garën për postin e Avokatit të Popullit, ka reaguar përmes një deklarate publike pas përfundimit të kësaj faze të procesit. Pavarësisht debateve mbi numrat dhe procedurat, Hysaj shprehet se ndihet krenare për standardin që ka vendosur dhe mënyrën se si e ka përballuar këtë rrugëtim.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo i ka dhënë përgjigje diskutimeve mbi mungesën e një firme për të plotësuar numrin e kërkuar procedurial.
Hysaj është ndalur specifikisht te çështja e numrave, pasi procedura kërkonte mbështetjen e 28 deputetëve, ndërsa ajo siguroi 27 firma.
“Në këtë proces u fol shumë për numra sepse procedura kërkonte 28, por 27 mbetet numri im. Dhe për mua, 27 është një numër me fat, sepse përfaqëson mbështetjen reale, respektin dhe besimin e njerëzve që e njohin punën time,” shkruan Hysaj.
Ajo thekson se ka momente në jetë që nuk maten me aritmetikë të thatë, por me vlerën e asaj që përfaqëson, duke e cilësuar këtë garë si një prej atyre momenteve.
“Gjatë këtij rrugëtimi u shkrua dhe u komentua shumë për mua, edhe nga gazetarë me përvojë… Kjo është pjesë e realitetit publik dhe nuk e ndryshon thelbin,” shprehet ajo, duke nënvizuar se përtej zhurmës mediatike, ka ndjerë mbështetje të fortë nga qytetarët, profesionistët dhe simpatizantët e të gjitha krahëve politikë.
Në mbyllje të reagimit të saj, Hysaj konfirmon se angazhimi i saj publik nuk përfundon me këtë garë. Ajo e konsideron postin e Avokatit të Popullit jo si një moment teknik, por si një mision që kërkon karakter dhe qëndrueshmëri.
“Jam krenare për standardin, për qasjen dhe për mënyrën se si e përballova këtë proces. Rruga ime vazhdon, me qetësi dhe vendosmëri, përtej palëve dhe përtej zhurmës, në shërbim të interesit publik,” përfundon Hysaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



