Saimir Demi nderohet pas vdekjes me çmimin “Ismet Bellova”, gazetari Methasani: La një boshllëk të madh

Gazetari i mirënjohur Saimir Demi është nderuar pas vdekjes me çmimin prestigjioz “Ismet Bellova”, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në gazetarinë sportive dhe televizive.
I ftuar në emisionin “Në Kohë Reale”, me moderimin e Flori Gjinit, gazetari Dëfrim Methasani ndau emocione dhe kujtime të forta për kolegun dhe mikun e tij të ndjerë.
“Ende nuk e besojmë që nuk e kemi më mes nesh. Iku shpejt, por la pas një arkivë të jashtëzakonshme dhe një punë të mrekullueshme, si në gazetarinë e shkruar ashtu edhe në atë televizive. La një boshllëk të madh, si në familje, ashtu edhe në redaksi, duke lënë shumë punë të tjera pa përfunduar. Ishte pikërisht në kulmin e tij profesional”, u shpreh Methasani.
Gazetari Methasani solli në vëmendje se të dy gazetarët kishin nisur së bashku ciklin “Kam lindur kuqezi”, një projekt i frymëzuar nga suksesi i Kombëtares shqiptare.
“Së bashku kishim nisur një cikël emisionesh “Kam lindur kuqezi”, të cilin donim ta vazhdonim, pasi suksesi i Kombëtares na kishte frymëzuar jo vetëm si gazetarë, por edhe si njerëz e si shqiptarë, sepse për të gjithë ne ishte një krenari. Kishim planifikuar edhe një udhëtim në vendlindjen e Berat Gjimshiti, në Luginën e Preshevës, për të realizuar një reportazh me familjen e tij. Saimiri kishte një dëshirë të madhe t’i takonte njerëzit nga afër, t’i sillte në ekran, të tregonte historitë e atyre që kanë bërë histori”, shtoi ai.
Kryeredaktori i lajmeve në redaksinë e Sportit në Radio Televizionin Shqiptar, ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen, në moshën 57-vjeçare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




