Flamurtari nis revolucionin, Moriero fikson lojtarët që i duhen për mbijetesën

Flamurtari i 2026-ës do të ketë ndryshime. Revolucioni që ka nisur klubi vlonjat është i pashmangshëm, pasi rezultatet e deritanishme kanë qenë zhgënjyese. Vendi i parafundit në Abissnet Superiore nuk e justifikon aspak investimin e bërë në verë.
Hoze Rodriguez dhe Heidber Ramirez, dy nga të huajt e shumtë që erdhën në Vlorë, kanë dalë jashtë planeve të trajnerit Françesko Moriero. Një tjetër i larguar është mesfushori Idriz Batha, pas një incidenti të ndodhur në stërvitje. Lista e largimeve do të jetë e gjatë dhe rrjedhimisht pritet të ketë edhe shumë afrime në merkaton e dimrit.

Trajneri italian ia ka bërë të qartë klubit se duhen përforcime për të mundësuar qëndrimin në elitë. Ai ka fiksuar edhe rolet, ku Flamurtari ka më shumë nevojë. RTSH mëson se lojtari i parë që kërkon trajneri Moriero është një mbrojtës qendre me kualitet.
Vlonjatët pësojnë shumë gola dhe italiani kërkon të sistemojë prapavijën. Në qendër të saj kanë luajtur deri tani Skuadrone dhe Chantakias, por edhe Bruno Telushi. Në krahë janë aktivizuar Trashi dhe Todorovski.
Moriero kërkon të fuqizojë po ashtu me çdo kusht edhe sulmin. Italiani kërkon golat, që vetëm Maksuti nuk mund t’ia garantojë. Vlonjatët e kanë nisur punën në këtë drejtim dhe tani mbetet të shihet se çfarë do të sjellë janari, ku duhet që është shumë e vështirë për të gjetur lojtarë të lirë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



