Berisha paralajmëron: Opozita gati për greva urie dhe çdo formë proteste për përmbushjen e misionit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku theksoi se opozita shqiptare është e vendosur të mbrojë shtetin ligjor dhe Kushtetutën, edhe nëse kjo kërkon sakrifica të mëdha.
Berisha u shpreh se misioni i opozitës është i vërtetë dhe kërkon përkushtim, duke nënvizuar se janë me qindra e mijëra të rinj e të reja demokratë të gatshëm të bëjnë këtë sakrificë për të ardhmen e vendit.
Në fjalën e tij, Sali Berisha e përkufizon situatën politike si një krizë të thellë institucionale, ku sipas tij parlamenti është “asgjësuar” dhe nuk funksionon më si organ përfaqësues.
Ai thekson se kushti themelor për opozitën është organizimi i zgjedhjeve të lira nga një qeveri që garanton procesin, duke e cilësuar këtë si “kushti i të gjitha kushteve”.
Berisha paralajmëron se më 22 dhjetor opozita do të intensifikojë veprimet e saj, duke diversifikuar format e protestës – nga tubimet e zakonshme deri te grevat dhe grevat e urisë – nëse kjo shihet si e domosdoshme për përmbushjen e misionit opozitar.
“Këta e kanë asgjësuar parlamentin. Nuk ka parlament. Ju e keni parë, aty hyhet, dilet, e mbyll ai sa fillon. Zgjedhje të lira. Një qeveri, e cila përgatit zgjedhjet e lira, është kushti i të gjitha kushteve për ne. Është thirrur data 22. Protestat tona do të diversifikohen me greva, me greva urie, me të gjitha format, në qoftë se ne përmbushim misionin tonë. Dhe ne jemi të vendosur ta përmbushim. Të gjithë ne duhet të kemi të qartë se me këtë regjim është jetike protesta e qëndrueshme, revolta e qëndrueshme.Opozita është dhe do të mbetet e përcaktuar për shtetin ligjor, Kushtetutën si kuadri më i mirë për respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Ne jemi të palëkundur në këtë qëndrim,” tha ai.
Në fjalën e tij, Berisha shprehu mbështetjen e plotë për çdo punonjës të zbatimit të ligjit , nga policia, shërbimi informativ, BKH, prokurorët e gjykatësit duke i cilësuar si njerëz që me ndershmëri dhe guxim vendosin të zbatojnë ligjin.
Ky ishte edhe qëllimi kryesor i takimit: të shprehej mbështetje për ata që mbrojnë ligjin në vend.
Sa i përket çështjes “Balluku”, Berisha përgëzoi vendimin e prokurorisë për të kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, duke e cilësuar si një hap në mbrojtje të interesit publik.
Megjithatë, ai theksoi se opozita nuk synon të ushqejë konflikt, por të qëndrojë e palëkundur kundër çdo shkeljeje të ligjit dhe përdorimit të drejtësisë për qëllime politike.
Berisha nënvizoi se ndryshe nga mazhoranca, opozita nuk ka organizuar dhunë ndaj organeve të drejtësisë, por ka dëshmuar se pushtetet duhet të respektohen sipas Kushtetutës.
“Ky takim sot synon t’u shprehë mbështetje të plotë atyre që zbatojnë ligjin në këtë vend,” përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




