Qeveria miraton fondet për rikonstruksionin dhe riforcimin e banesave në Durrës dhe Shijak të dëmtuara nga tërmeti

Ekonomi | 11 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendime për përdorimin e fondeve të rindërtimit për rikonstruksionin e njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës dhe riforcimin e banesave në Bashkinë Shijak, të dëmtuara nga tërmeti.

Sipas vendimit për Bashkinë Durrës, për këtë vit do të përdoren 169 850 000 lekë pa TVSH për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale që janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë ose të dëmtuara lehtë, të cilat nuk kanë nevojë për rindërtim të plotë, por për punime rikonstruksioni ose riparime. Fondet do t’i transferohen Bashkisë Durrës në formë të pakushtëzuar dhe do të menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave.

Ndërkaq, për Bashkinë Shijak është miratuar përdorimi i një fondi prej 5 314 932,40 lekë pa TVSH për riforcimin e banesave individuale të dëmtuara rëndë, të klasifikuara me shkallën DS4, të cilat nuk do të rindërtohen nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni bazuar në aktekspertiza të thelluara. Ky fond gjithashtu do t’i transferohet Bashkisë Shijak në formë të pakushtëzuar.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtyre vendimeve.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme