“Ku ka shqiptarë, ka shpirt kuqezi”, Spiropali në Tetovë: Qyteti, një qendër dinamike e rajonit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vijoi vizitën e saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut me një ndalesë në Tetovë, qytetin që ajo e cilësoi si një qendër kyçe arsimore dhe kulturore në rajon.
Gjatë kësaj vizite, kryediplomatja shqiptare u prit në takim nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në qendër të diskutimeve mes Spiropalit dhe Kasamit ishte zhvillimi lokal dhe sfidat me të cilat përballet qyteti.
Ministrja vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm që Tetova luan sot si një pol dinamik, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por për të gjithë rajonin, duke shërbyer si një urë e fortë arsimore dhe shoqërore.
Pjesë e vizitës ishte ndalesa në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës. Aty, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të përgatitura nga nxënësit, të cilat evokuan traditën dhe kulturën kombëtare.
E prekur nga mikpritja dhe talenti i të rinjve, Spiropali përcolli edhe një mesazh patriotik.
“Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët,” tha ajo.
Në një reagim të mëvonshëm mbi vizitën, Ministrja e përmblodhi atmosferën në Tetovë me fjalët: “Ku ka shqiptarë, ka atdhedashuri, patriotizëm, shpirt kuqezi!”

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




