“Tema e Ditës”- Analisti Spahiu: Kurti fiton, por do detyrohet t’ia japë Presidentin PDK-së ose LDK-së

Kosovë | 10 muaj më parë

Lëvizja Vetëvendosje pritet të dalë edhe më e fortë në zgjedhjet e ardhshme sesa në ato të shkurtit. Ky është parashikimi i analistit Nexhmedin Spahiu, i cili në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, nw moderimin e Arbwr Hitajt, argumentoi se Albin Kurti ka fituar terren.

Sipas Spahiut, heqja e masave nga BE-ja e ka çarmatosur opozitën nga argumenti i “izolimit”.

Spahiu theksoi gjithashtu se deklaratat e SHBA-së për Kosovën si zonë strategjike dëshmojnë se marrëdhëniet e Kurtit me Amerikën nuk janë të prishura, duke rrëzuar një tjetër tezë të opozitës.

“Aktualisht kemi një situatë më të qetë sesa në zgjedhjet e shkurtit. Pritet që Vetëvendosja të ketë rezultat më të mirë, ndikuar edhe nga heqja e masave të BE-së. Kjo nuk është domosdoshmërisht meritë e Kurtit, por sepse bien akuzat e opozitës për ftohje të raporteve të tij me Brukselin. Fakti që SHBA-ja e cilëson Kosovën zonë të rëndësishme strategjike, dëshmon se Kurti nuk ka marrëdhënie të prishura me Uashingtonin. Risi është premtimi i Kurtit për rindërtimin e xhamisë së Ibrit, e cila u shkatërrua nga forcat serbe; kjo ka prekur dinjitetin kombëtar dhe fetar”, u shpreh Spahiu.

Analisti parashikon që VV të marrë 2-3% më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara. Nga ana tjetër, ai e sheh opozitën (PDK dhe LDK) në stanjacion, pa risi dhe me rrezikun e tkurrjes.

“PDK dhe LDK nuk kanë sjellë asnjë risi. Besoj se do të mbeten në rezultatet që kanë pasur, ose do të pësojnë rënie, duke mbetur në nivelet e zgjedhjeve të shkurtit. Ekziston rreziku që partia e Rashiqit, për shkak të presionit nga Serbia, të mos hyjë në parlament dhe vendet t’i marrë Lista Serbe. Kjo do të detyronte fituesin e zgjedhjeve të bënte koalicion, gjë që e vë në pozitë të vështirë Kurtin”, theksoi analisti.

Në analizën e tij në RTSH, Nexhmedin Spahiu shpjegoi edhe sfidën kushtetues që e pret Kurtin pas zgjedhjeve: zgjedhja e Presidentit.

“Nuk shoh ndonjë përforcim nga kreu i LDK-së. Rritja e Vetëvendosjes shkon në dëm të LDK-së. Ndërsa PDK dhe AAK kanë elektorat stabil, votuesit mes VV-së dhe LDK-së lëvizin sa te njëra, te tjetra. Nëse VV fiton 45% të votave, mund ta formojë qeverinë e vetme me partitë minoritare, por kjo nuk i siguron zgjedhjen e presidentit. Kurti do të detyrohet të bëjë koalicion me LDK-në ose PDK-në. Atij do t’i duhet të ofrojë një figurë konsensuale ose t’ua lërë postin e Presidentit këtyre partive”, analizoi Spahiu.

Sipas analistit, presidentja aktuale Vjosa Osmani është jashtë loje për një mandat të dytë.

“Vjosa Osmani nuk pritet të vijojë si presidente, edhe për shkak të raporteve të ftohta që ka me Kurtin, por edhe se opozita nuk e mbështet atë,”, theksoi ai.

/rtsh.al/  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme