Rama për Shëndetësinë: Rrisim investimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale. Ka rënë tendenca e largimit të mjekëve nga vendi
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar përparimet në sektorin e shëndetësisë gjatë bilancit për 2025, ku theksoi se të gjitha investimet e bëra mbështesin përmirësimin e kushteve të punës për mjekët dhe infermierët. Rama tha se ka një rënie të tendencës së largimit të mjekëve nga Shqipëria dhe vuri në dukje se tani zgjedhja e parë e mjekëve është të qëndrojnë dhe të punojnë në vend.
“Të gjitha këto investime mbështesin atë që mbetet kryesore, përmirësimi i kushteve të punës për mjekët dhe infermierët. Më vjen mirë që ka një rënie të tendencës së ikjes së mjekëve dhe që zgjedhja e parë tani nuk është më ikja jashtë vendit. Tendenca ka filluar të kthejë dhe kjo është shumë pozitive”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi gjithashtu një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të rritur kapacitetet e trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale.
Një tjetër zhvillim pozitiv, tha Rama, është edhe rritja e pagave për punonjësit e shëndetësisë, si dhe vendimi i ri për njohjen e vjetërsisë në punë për mjekët dhe infermierët, i cili do të sjellë shpërblime të rritura në bazë të viteve të shërbimit.
“Kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes të kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale. Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit.
Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këto masa synojnë jo vetëm përmirësimin e kushteve të punës për stafin shëndetësor, por edhe forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në tërësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




