Nën hetim për pastrim parash, Gjykata e Tiranë rrëzon vendimin për sekuestrimin e pasurive të Elman Abules dhe Kristiano Boçit

Aktualitet | 10 muaj më parë

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar vendimin për sekuestrimin e pasurive dhe shoqërive të personave nën hetim, Elman Abule, Kristian Boçi dhe gruaja e tij, Drilona Boçi. Kjo ka ardhur pas një procesi ligjor ku, pas ankimit të bërë nga të hetuarit, Gjykata e Apelit Tiranë shqyrtoi çështjen dhe vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e kthyer çështjen për rigjykim nga një trup gjykues tjetër.

Në përputhje me vendimin e Apelit, kërkesa për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të këtyre personave i është caktuar për rigjykim gjyqtarit Altin Abdiu. Ky i fundit, pas shqyrtimit të kërkesës, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për sekuestrimin e pasurive. Ky vendim, i cili u mor më 17 tetor 2025, ka marrë formë të prerë pasi nuk është ankimuar nga prokurorja e çështjes.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Tiranës, më herët ishin sekuestruar 14 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente dhe vila me vlerë rreth 50 milionë euro, pasuri që zotëroheshin nga Elman Abule, Kristian Boçi, Drilona Boçi dhe 4 persona të tjerë të lidhur me ta. Hetimet e prokurorisë dyshojnë se këta persona janë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave, ndërsa Elman Abule ka një dënim të mëparshëm për trafik narkotikësh nga gjykatat belge.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme