Sekuestrohet sasi e madhe fishekzjarrësh në Tiranë, 3 të arrestuar, 9 të proceduar penalisht

Policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi të madhe lëndësh piroteknike që mbahej/shitej në 7 raste, në markete, në automjete ose në rrugë, duke cenuar kriteret.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera që po kryhen gjatë këtyre ditëve, në kuadër të planit operacional “Fireworks”, në subjekte/ndaj shtetasve që shesin pa autorizim, lëndë piroteknike, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 7 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan shtetasin I. Xh., 28 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre, u gjetën lëndë piroteknike që posedoheshin nga 28-vjeçari, me qëllim shitjen, si dhe një sasi e vogël Cannabisi që posedohej nga shtetasi i proceduar;
Po kështu specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin B. L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij, u gjet sasi të konsiderueshme fishekzjarrësh.
Ndërkohë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. B., 18 vjeç dhe L. P., 20 vjeç, pasi nga kontrolli në bagazhin e automjetit të tyre, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u gjet një sasi lëndësh piroteknike;
Specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit F. J., 55 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. J., L. T. dhe E. V., pasi nga kontrollet u konstatua se shtetasi F. J. dhe djali i tij, shtetasi B. J. shitnin fishekzjarre në marketin e tyre në rrugën “Myslym Keta”, ndërsa 2 të proceduarit e tjerë u kapën duke blerë lëndë piroteknike;
Njëkohësisht specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. P., 25 vjeç, A. H., 30 vjeç dhe R. Ll., 25 vjeç, pasi iu gjetën sasi fishekzjarrësh.
Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




