Berisha uron shqiptarët: 2026, viti i shpresës dhe i funeralit të “Rilindjes”

Politikë | 10 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar mesazhin e tij tradicional në prag të ndërrimit të viteve. Përmes një fjalimi të publikuar nga zyra e shtypit e PD-së, lideri i opozitës ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2026, të cilin e cilësoi si “vitin e shpresës së madhe” dhe të misionit për të rrëzuar atë që ai e quan organizata kriminale e “Rilindjes”.

Në mesazhin e tij, Berisha iu drejtua të gjitha shtresave të shoqërisë, nga familjet në vatrat e tyre, te emigrantët, të sëmurët në spitale dhe qytetarët në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Unë nga zemra ju uroj… Gëzuar vitin e ri 2026. Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese,” e nisi urimin Berisha.

Pjesa më e madhe e mesazhit iu kushtua një bilanci kritik të vitit që po mbyllet. Berisha e përshkroi vitin 2025 si vitin e “agonisë së plotë të demokracisë shqiptare”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulimin e votës në zgjedhjet e 11 majit dhe konsolidimin e një “narkoshteti”.

Sipas kreut të PD-së, ky vit i gjeti qytetarët shqiptarë si më të keqpaguarit në Evropë, ndërsa qeveritarët i krahasoi me regjimet diktatoriale të Afrikës së 30 viteve më parë për nga pasuria.

“Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë. Mijëra shqiptarë u ndanë nga jeta më shumë sesa erdhën në këtë jetë,” theksoi ai.

Berisha listoi një sërë skandalesh që sipas tij shënjuan vitin 2025.

Afera e AKSHI-t u cilësua nga Berisha si skandali më i madh në Evropë, ku të dhënat sekrete të qytetarëve dhe sekretet e NATO-s përfunduan në duart e bandave dhe armiqve.

Ai akuzoi zëvendëskryeministren për pasuri të pajustifikuar dhe përmendi arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas 46 protestave të opozitës.

Sipas Berishës, kartelet e drogës u shpërblyen me leje ndërtimi për 450 kulla dhe resorte si shpërblim për ndërhyrjen në zgjedhje.

Në përmbyllje, Berisha bëri thirrje për bashkim në vitin e ardhshëm, duke e cilësuar çdo qytetar opozitar si “misionar”.

Ai theksoi se viti 2026 do të jetë viti kur shqiptarët do t’i bëjnë “funeralin” qeverisjes aktuale për të rikthyer votën e lirë dhe për të mbrojtur familjen nga ligjet që ai i quajti shkatërrimtare.

“Këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar,” përfundoi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme