Besimtarët ortodoksë e nisin vitin me adhurim ndaj Zotit, Kryepeskopi Joan feston 70-vjetorin

Aktualitet | 10 muaj më parë

Me nisjen e vitit të ri, besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në Misterin e Liturgjisë Hyjnore me adhurimin e tyre ndaj Zotit, ndërsa po sot Kryepeskopi Joan feston 70-vjetorin e lindjes.  

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, drejtoi shërbesat e shenjta në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, së bashku me Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin dhe klerikë të Kryepiskopatës dhe jo vetëm.

Në vijim, Kryepiskopi Joan drejtoi shërbesën e Dhoksologjisë për Fillimin e Vitit të Ri. Gjatë Dhoksologjisë iu lutëm Zotit që është krijuesi dhe Zoti i shekujve të bekojë Vitin e Ri.

Në atmosferën festive të ditës u shtua  edhe përvjetori i 70- të i jetës së Kryepiskopit Joan, pasi sot, më 1 janar, feston ditëlindjen e tij – “një përvjetor i veçantë që nuk shënon thjesht një moshë, por një jetë të tërë të jetuar si dëshmi e gjallë e hirit të Perëndisë, e besnikërisë ndaj Krishtit dhe e shërbimit të përulur ndaj Kishës dhe popullit”.

“Në Katedralen e mbushur plot me besimtarë, u festua e kremtja zotërore e Rrethprerjes në mish të Zotit tonë Jisu Krisht dhe e shën Vasilit të Madh, një ndër shenjtorët më të njohur dhe të dashur në Kishën tonë. Ndaj në vijim klerikë dhe besimtarë të shumtë morën pjesën në pritjen e organizuar te Qendra Sinodike, pranë Katedrales, ku sipas traditës Fortlumturia e tij, Joani bekoi dhe ndau për secilin pjesëmarrës kekun e Shën Vasilit të Madh. Të gjithë i përcollën urime të përzemërta dhe plot mirënjohje Kryepiskopit Joan për 70- vjetorin dhe për Vitin e Ri”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.

Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Arkimandrit Ignati uroi Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin Joan për 70-vjetorin.

  • Kryepeskopi Joan ka marrë urime edhe nga kishat simotra si dhe nga presidenti i vendit, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra dhe personalitete të tjera.

    “Kryepiskopi ynë mori urime edhe nga Patriarkë të Kishave simotra, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj, nga Kryeministri, ministra, personalitete të shquara të vendit, deputetë, akademikë dhe miq.

    Udhëtimi i jetës së tij nga atezimi te njohja me Besimin Orthodhoks në kohën e komunizmit; nga studimet në Amerikë te kthimi në Shqipëri për të ringritur Kishën Orthodhokse; nga veprimtaria e tij 27-vjeçare në Mitropolinë e Korçës te froni i Kryepiskopit të Shqipërisë, dëshmon dorën e Zotit me shërbëtorin e tij besnik, i cili ndjek gjurmët e figurave të shquara të Etërve të Kishës sonë”, theksohet më tej në njoftimin e Kishës Ortodokse.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme