Zv.ministrja Megi Fino për RTSH: Integrimi evropian, prioriteti ynë. Nisim mbylljen e kapitujve
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pritet të ketë një vit të ngjeshur në fushën diplomatike gjatë 2026-ës. Në një interviste për RTSH-në, Zv.ministrja e Jashtme Megi Fino thotë se në 6 muajt e parë pritet mbyllja e 2 kapitujve të rëndësishëm, 30 dhe 31. Ndërkaq, ajo thekson se kanë nisur përgatitjet për një nga ngjarjet me të rëndësishme, që është Samiti i NATO-s në vitin 2027.
Për Finon, viti 2025 ishte viti i suksesit më të rëndësishëm të diplomacisë shqiptare, që tregoi se me vullnet dhe disiplinë mund të realizohej në 13 muaj, një proces që vendeve të tjera u ka marrë vite, sikurse ishte çelja e grupkapitujve të integrimit.
Zonja Fino, 2025-a ishte një vit i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në aspektin diplomatik të zhvillimeve. Cili ka qenë ritmi i vitit që sapo u mbyll?
Viti 2025 ka patur një momentum të paprecedentë, ka bërë një pikë kthese historike sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian Me hapjen e 33 kapitujve brenda 13 muajve, kemi pritur në Tiranë në muajin maj të gjithë liderët europianë në takimin e IPC-së. Gjithashtu këtë vit Shqipëria në samitin e Hagës së NATO-s u konfirmua si një mikpritëse e Samitit të NATO-s në 2027-ën. Padyshim që sa i përket bashkëpunimit rajonal ne vazhdojmë ta kemi një prioritet në politikën tonë të jashtme dhe kemi patur dhe kryesimin e disa nismave rajonale gjatë 2024-2025 të cilat ne i kemi kryesuar me sukses. Ka qenë një ritëm që na jep dhe ambicien për të vijuar në këtë rrugëtim dhe për 2026-ën.
Ju e thatë se 2027-ta do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë! Për herë të parë në historinë e vendit do jenë liderët e vendeve anëtare të NATO-s në një samit nga më të mëdhenjtë. A kanë nisur përgatitjet?
Përgatitjet kanë nisur. Sigurisht ai është një angazhim shumë i madh. Është historike për vendin tonë dhe rajonin. Është krijuar një grup pune i kryesuar nga Kryeministria dhe është një angazhim ndërshtetëror dhe besoj është diçka për të cilën do jemi të gjithë krenarë.
Ka shumë përgatitje veçanërisht në aspektin logjistik e kryesisht në aspektin e sigurisë.
Kjo ka ndodhur në mos gaboj e kemi parë në 2008-ën në Rumani, por dhe në vende të tjera, që merr një përmasë tjetër përgatitja përsa i përket çështjeve dhe aspektit të sigurisë. Kështu që, besoj se fakti që jemi konfirmuar për të mirëpritur këtë samit, është tregues që mund t’ja arrijmë më së miri ta përballojmë.
Gjatë 2026 pritet të kemi mbyllje të grupkapitujve që tashmë janë çelur? Kur e parashikoni ju këtë mbyllje?
Ne kemi pasur një plan pune të dakordësuar me Komisionin Europian për hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda 2025-ës, një gjë që u arrit me shumë punë de shumë angazhim nga të gjithë. Pjesë e këtij plani pune ka qenë dhe mbyllja teknike e negociatave brenda 2027-ës. Me dëshirën dhe vullnetin maksimal politik për të patur dhe anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade. Me këtë ritëm dhe 2026-ta pritet të ketë të njëjtin ritëm dhe do tregojë angazhimin e gjithë institucioneve sa i përket secilit kapitull. Këtu në Ministrinë e Jashtme ne jemi kryesues të kapitullit 31 të politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes. Është një kapitull që ka ecur shumë mirë. Ju e dini që ne kemi një linjëzim 100% me politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes me BE-në dhe do vijojë i tillë,. Ritmi është vërtet i shpejtë por ne kemi treguar se vërtet mund ta përballojmë, sigurisht dhe me mbështetjen e gjithë vendeve anëtare dhe vendeve partnere të rajonit.
Si parashikohet të jetë bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet e rajonit?
Bashkëpunimi rajonal është prioritet i politikës së jashtme shqiptare duke nisur nga Kosova, që është në majë të agjendës sonë përsa i përket çdo takimi, konference, samiti apo përfaqësimi në organizata ndërkombëtare. Por po ashtu është edhe për të gjitha vendet e rajoni, dhe veçanërisht përsa i përket rrugëtimit të rajonit në BE. Ne jemi shumë mbështetës sepse dhe shembulli i Shqipërisë që po ecën me këtë ritëm, padyshim dhe Mali i Zi që ka bërë goxha progres përgjatë viteve të fundit, është shumë e rëndësishëm për gjithë rajonin tonë, për të dhënë një shembull shumë të mirë se si mund të procedojmë në këtë formë të gjithë bashkë.
Besoj e kemi vënë re që ka dhe një theks të veçantë pasi Ministrja e Jashtme ka qenë përgjatë muajit dhjetor në vizitë në Greqi, Maqedoninë e Veriut, duke dhënë disa mesazhe të rëndësishme sa i përket angazhimit të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.
Gjithashtu dhe në kryesimin e disa nismave rajonale ku ka qenë një angazhim i madh për të ulur të gjitha palët në tryezë e për të arritur rezultate konkrete sa i përket bashkëpunimit ekonomik e më gjerë.
Zonja Fino a pritet zgjerim i përfaqësive diplomatike shqiptare në botë?
Ne kemi patur në fakt përgjatë këtij viti një zgjerim të përfaqësimeve diplomatike. Kemi patur hapjen e ambasadës sonë në Sarajevë, në Indonezi, në Kenia. Ka qenë një prioritet për të patur një zgjerim dhe fuqizim të ambasadave dhe misioneve që ne kemi.
E rëndësishme është të fuqizohen ambasadat dhe misionet që ne kemi dhe për këtë është punuar intensivisht dhe për të patur një shërbim të jashtëm më dinjitoz, më cilësor, duke vënë theksin te akademia diplomatike për trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të cilat ne kemi.
Cila do të jetë puna e parë e Ministrisë së Jashtme për 2026-ën?
Ka shumë angazhime. Do vlerësoja kryesorin integrimin në BE. Ai është një objektiv kombëtar. Është një punë 360 gradë përsa i përket bashkëpunimit rajonal, përsa i përket angazhimit të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare. Ne kemi parë Shqipërisë jo vetëm si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB, por Shqipëria është dhe në Këshillin e të drejtave të njeriut në OKB deri në 2026. Kemi treguar një angazhim në nismat multilaterale. Kemi parë ë 2025-ën për herë të parë votën e diasporës që u bë realitet pas shumë vitesh përpjekje.
Mendoj se ka shumë prioritete për 2026 dhe jemi besimplotë që do kemi mundësinë për të bërë disa punë shumë të mira.
Gazetare: Denada Shkodrani
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




