Zbardhja e vrasjes së Hysni Ymerit në Shkodër, reagon Ilir Proda: Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka reaguar pas zbardhjes së vrasjes së 67 vjeçarit Hysni Ymeri më 29 dhjetor në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Proda ka përgëzuar strukturat hetimore të policisë Shkodër për zbardhjen e ngjarjes dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.
Ai theksoi se zbardhja e kësaj ngjarje dekurajon veprimtarinë kriminale dhe forcon më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.
Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.
Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve.”, deklaroi Proda.
Katër persona u arrestuan nga policia pasi dyshohet se janë paguar për të vendosur lëndën eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), dhe kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte 67-vjeçari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




