Viti 2025 i SPAK, në një vit, nën lupën e Prokurorisë zyrtarë të lartë dhe kriminelë

Aktualitet | 10 muaj më parë

Institucioni më i rëndësishëm i drejtësisë, SPAK, do të hyjë në vitin 2026 me drejtues të rinj. Klodian Braho do të udhëheqë punën e SPAK, ndërsa Joni Keta do të drejtojë BKH.

Altin Dumani ia dorëzoi stafetën drejtimit të ri më 22 dhjetor 2025, pas përfundimit të mandatit të tij trevjeçar. Gjatë kësaj periudhe, Dumani u përball me sfida të shumta, përplasje institucionale dhe presione, por edhe me suksese të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nën drejtimin e tij, SPAK forcoi rolin si një nga institucionet kryesore të Reformës në Drejtësi, duke hetuar çështje të ndjeshme që përfshijnë zyrtarë të lartë.

“Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindje se ai do të mbështetet në trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet dhe vendosmëri,” u shpreh Dumani në konferencën e dorëzimit të detyrës.

Ndërsa drejtuesi i ri, Klodian Braho, u zotua se do ta çojë edhe më tej punën e SPAK.

“Falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë, SPAK po forcohet si një strukturë solide e ndjekjes penale. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe do të punojmë krah për krah me përkushtim në përmbushjen e zotimit tonë ndaj kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë. Fokusi i punës sime do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i bazuar në besimin reciprok mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet,” tha Braho.

Viti 2025 e vendosi SPAK në qendër të zhvillimeve në vend, si për goditjen e grupeve kriminale, ashtu edhe për ndjekjen e zyrtarëve të lartë që po përballen me drejtësinë.

Një nga çështjet më të rëndësishme mbetet dosja e 21 janarit, ku janë marrë në pyetje figura kryesore politike si Lulzim Basha, Sali Berisha, Bamir Topi dhe Ilir Meta.

Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, ku përfshihen Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe disa biznesmenë të tjerë.

Dosja “5D” ka zbuluar abuzime me tendera në Bashkinë e Tiranës, ku janë përfshirë ish-drejtorë dhe kompani private. Gjykimi ka vijuar gjatë vitit me seanca të shumta dhe debate mbi provat.

Një hetim i bujshëm gjatë vitit ka qenë edhe ai ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt 2025, ku ndaj tij rëndojnë 13 akuza për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie, ndërsa bashkëshortja e tij është nën masë sigurie “detyrim paraqitjeje” dhe “arrest shtëpie”.

Në muajin nëntor 2025, SPAK pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për korrupsion dhe shpërdorim detyre në projekte infrastrukturore, një vendim që shkaktoi përplasje me qeverinë. Këshilli i Ministrave iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi heqjen e pezullimit nga detyra, ndërsa SPAK kërkoi heqjen e imunitetit parlamentar për të vijuar hetimet pa pengesa.

Në sektorin publik dhe digjital, hetimi ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nxori në pah manipulime tenderash dhe përfitime të paligjshme, duke përfshirë zyrtarët kryesorë Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi. SPAK identifikoi shkelje të barazisë në tendera, transaksione të dyshimta dhe pastrim parash, duke e mbyllur vitin 2025 me një hetim të rëndësishëm dhe kompleks.

Përtej politikës, SPAK goditi edhe grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar, si vëllezërit Çopja, Arben Ndoka, Emiljano Shullazi dhe grupet Bajri dhe Lici, duke zbuluar trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Megjithatë, disa kriminelë vazhdojnë të jenë në arrati.

Viti 2025 e la SPAK me një bilanc të rëndësishëm hetimesh dhe dosjesh që do të ndikojnë edhe në vitin 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme