Gjenerali Caine: SHBA ka dërguar më shumë se 150 avionë në një mision disaorësh për të kapur Maduron

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar mbi 150 avionë në një mision disaorësh për të kapur presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro.
Detajet e operacionit u bënë publike nga Gjenerali Dan Caine, Kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-ve, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Mar-a-Lago, Florida.
Gjenerali e përshkroi ndërhyrjen si një operacion “diskret, i saktë dhe i zhvilluar gjatë orëve më të errëta të 2 janarit”, duke theksuar se ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe stërvitjes. “Ky mision kërkoi çdo komponent të forcës sonë të përbashkët, ushtarë, marinarë, pilotë, marinsa dhe gardianë, duke punuar në unison me komunitetin e inteligjencës dhe partnerët e rendit, në një operacion të paprecedentë,” tha Caine.
Sipas tij, operacioni ishte aq i saktë sa përfshiu mbi 150 avionë të nisur në koordinim të ngushtë nga baza të ndryshme në Hemisferën Perëndimore, të cilët u bashkuan në kohën dhe vendin e duhur për të futur forcat speciale në qendër të Karakasit. “Dështimi i vetëm një komponenti do të rrezikonte gjithë misionin, dhe dështimi nuk është kurrë një opsion për forcat e përbashkëta amerikane,” shtoi gjenerali, duke nënvizuar se pilotët mbi Karakas ishin të gatshëm të jepnin jetën për ata në tokë dhe në helikopterë.
Caine tregoi se puna e inteligjencës për të lokalizuar Maduron kishte zgjatur me muaj, duke analizuar çdo lëvizje të tij: “Ku jetonte, ku udhëtonte, çfarë hante, çfarë vishte, madje edhe kafshët shtëpiake.” Ai shtoi se zgjedhja e ditës së duhur ishte thelbësore për të minimizuar rrezikun për civilët dhe për të maksimizuar elementin e befasisë.
Gjenerali konfirmoi se presidenti amerikan dha urdhrin për nisjen e operacionit në orën 22:46 sipas orës lokale, duke u thënë trupave: “Fat të mbarë dhe shpejtësi nga Zoti.” Këto fjalë u transmetuan në gjithë forcat e përbashkëta.
Gjatë natës, avionë u ngritën nga 20 baza të ndryshme në tokë dhe në det në të gjithë Hemisferën Perëndimore. Midis tyre ishin bombardues, avionë luftarakë, platforma inteligjence, survejimi dhe zbulimi, si dhe helikopterë. Helikopterët, që fluturuan vetëm 30 metra mbi ujë, transportuan forcat speciale drejt kompleksit të Maduros në Karakas.
“Dështimi i një komponenti të kësaj makinerie të vajosur mirë do të kishte rrezikuar të gjithë misionin, dhe dështimi nuk është kurrë një opsion për forcën e përbashkët të Amerikës,” theksoi Caine.
Helikopterët mbërritën në kompleksin e Maduros rreth orës 1 të mëngjesit sipas orës ET. Përpjekja për kapjen e tij kërkoi disa “angazhime vetëmbrojtëse” pasi forcat u sulmuan, por misioni përfundoi me sukses. Në orën 3:29 të mëngjesit, Maduro dhe bashkëshortja e tij u nxorën nga Venezuela dhe u transferuan në anijen luftarake USS Iwo Jima, ku aktualisht po udhëtojnë drejt Nju Jorkut për t’u gjykuar.
Gjenerali Caine e përmbylli deklaratën duke e cilësuar operacionin si një shembull të fuqisë dhe koordinimit të ushtrisë amerikane: “Ky ishte një mision i paprecedentë, i planifikuar me kujdes dhe i kryer me vendosmëri. Vetëm forcat e përbashkëta të Amerikës mund ta realizonin.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




