Situata e motit në qarkun e Gjirokastrës, vështirësi në qarkullim pas reshjeve të dendura, strukturat në terren

Aktualitet | 10 muaj më parë

Reshjet e 24 orëve të fundit në qarkun e Gjirokastrës kanë sjellë problematika të izoluara, kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe furnizimin me energji elektrike.

Në Bashkinë Tepelenë, në orët e para të mëngjesit të datës 5 janar 2026, janë shfaqur probleme në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur ‘Shkalla e Zezë’, si pasojë e rënies së inerteve nga shpatet malore.

Aktualisht, rruga është e qarkullueshme me një kalim.

Ndërkohë, në fshatin Nivicë, njësia administrative Kurvelesh, në zonën e quajtur Vreshtan, është evidentuar shkarje e dherave, ku rrezikohen 4 deri në 5 banesa. Kontraktori është njoftuar dhe është në terren për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e situatës në normalitet.

Gjithashtu, në njësinë administrative Kurvelesh është regjistruar një ndërprerje e energjisë elektrike prej 37 minutash, ndërsa aktualisht pa energji mbetet njësia administrative Qendër.

Autoritetet lokale janë duke monitoruar situatën dhe paralajmërojnë drejtuesit e automjeteve për kujdes maksimal gjatë qarkullimit.

Në pjesë të tjera të qarkut, reshjet kanë qenë më të dobëta, por banorët paralajmërohen për lagështi të shtuar dhe rrëshqitje të mundshme të tokës në disa segmente rrugore. Shërbimet emergjente janë në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku ka nevojë.

Reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë orëve të ardhshme, ndaj qytetarët  të shmangin udhëtimet e panevojshme në zona të rrezikshme.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme