Reshjet e dendura shkaktojnë rrëshqitje në Selenicë, Prefektja Allushi: Mbështetje e pandërprerë për banorët

Aktualitet | 10 muaj më parë

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale edhe në Qarkun e Vlorës, ku situata më problematike paraqitet në bashkinë e Selenicës. Si pasojë e shkarjes së dherave në aksin rrugor Kotë–Sevaster, pranë fshatit Vajzë, janë shembur tre banesa.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, së bashku me kryetarin e bashkisë Selenicë, inspektuan nga afër situatën në terren, për të vlerësuar dëmet dhe për të ndjekur ndërhyrjet e nevojshme nga strukturat përkatëse.

“Banorët po përballen me një situatë të vështirë dhe plot pasiguri. Iu bashkova shqetësimit të tyre dhe kërkova nga bashkia dhe të gjitha strukturat përgjegjëse që të jenë në shërbim të pandërprerë të komunitetit, duke i siguruar për mbështetjen e plotë të prefekturës,” u shpreh prefektja Allushi.

Më herët, prefektja e Qarkut të Vlorës, në koordinim me kryetarin e njësisë administrative Novoselë, zhvilloi një takim me kryetarët e fshatrave të kësaj njësie, ku u diskutua mbi masat parandaluese dhe informimi i banorëve për rrezikun e daljes së lumit nga shtrati.

“Prefektura është në terren dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës, me qëllim koordinimin në kohë reale të strukturave përkatëse dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të çdo problematike që mund të lindë,” theksoi prefektja Allushi.

Aktualisht në qarkun Vlorë situata e reshjeve paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme