Moti i keq në Qarkun e Shkodrës, ushtria në Obot, probleme në rrugët rurale, por nivelet e lumenjve në rënie

Situata hidrometeorologjike në Qarkun e Shkodrës vijon të mbetet në qendër të vëmendjes së autoriteteve vendore dhe qendrore. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në infrastrukturën rurale dhe kanë sjellë prezencë uji në disa zona, megjithatë të dhënat e fundit tregojnë një tendencë përmirësimi në nivelet e lumenjve kryesorë.
Problematika në Malësi të Madhe dhe Fushë Arrëz
Në Bashkinë Malësi e Madhe, situata paraqitet më delikate në fshatin Vukpalaj, ku raportohet prezencë uji në një banesë.
“Emergjencat Civile, së bashku me Shërbimin Zjarrfikës dhe drejtuesit vendorë, ndodhen në terren dhe në gjendje gatishmërie të plotë për të ndërhyrë, përfshirë evakuimin e banorëve nëse do të jetë e nevojshme.”, theksohet në njoftimin për shtyp.
Ndërkohë, në fshatin Reze e Vështit ka prezencë uji në rrugë, ndërsa në Kamicë po punohet intensivisht për pastrimin e kanaleve dhe rregullimin e rrugës pranë “Përroit të Thatë”.
Në zonat malore të Bashkisë Fushë Arrëz, intensiteti i lartë i reshjeve ka dëmtuar infrastrukturën rrugore. Njësitë administrative Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali raportojnë vështirësi në qarkullim për shkak të vërshimit të ujërave dhe dëmtimit të traseve në rrugët rurale.
Ushtria angazhohet në Obot, ndërtohet ura në Bardhaj
Në Njësinë Administrative Ana e Malit, konkretisht në fshatin Obot, niveli i ujit në rrugë ka arritur në rreth 40 cm, duke vështirësuar lëvizjen. Për të menaxhuar situatën, janë angazhuar forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut me një mjet të lartë dhe tre efektivë për të asistuar banorët.
Një lajm i mirë vjen nga fshati Bardhaj i Bashkisë Shkodër, ku pavarësisht kushteve atmosferike, po vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” , një ndërhyrje e rëndësishme për infrastrukturën e zonës.
Ulen nivelet e lumenjve, hidrocentralet në kontroll
Pavarësisht reshjeve, situata në kaskadën dhe lumenjtë kryesorë paraqitet pa probleme. Sipas të dhënave të DRUK Lezhë, lumenjtë Drin, Buna, Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të prurjeve dhe ulje të nivelit të ujit. Edhe Diga e Rezervuarit të Shkodrës raportohet jashtë rrezikut për dëmtime apo përmbytje masive. Hidrovoret në Velipojë, Vilun dhe Cas janë në funksion të plotë për të larguar ujërat e tepërta.
Furnizimi me energji
OSHEE Shkodër njofton se furnizimi me energji elektrike është në parametra normalë në pjesën më të madhe të qarkut. Përjashtim bën zona e Bushatit, ku parashikohen ndërprerje të pjesshme për shkak të punimeve të planifikuara nga OST në linjën 110 kV.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër konfirmon se po vijon koordinimin me të gjitha strukturat për të garantuar sigurinë e qytetarëve deri në normalizimin e plotë të situatës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




