Bllokohet totalisht aksi Qukës-Qafë Plloçë, rrëshqitje masive dherash, një mjet goditet nga inertet, bllokohen të dyja korsitë
Aksi kombëtar Qukës-Qafë Plloçë është bllokuar plotësisht mbrëmjen e sotme, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Situata është rënduar pasdite, kur një rrëshqitje e re dhe masive e dherave bllokoi të dyja kahet e lëvizjes, duke izoluar këtë arterie të rëndësishme.
Problemet në këtë aks kanë nisur që në orët e para të ditës së sotme. Fillimisht, situata u bë e rrezikshme në daljen e tunelit, ku një automjet u dëmtua pasi u godit nga inertet që rrëshqitën nga shpati i malit.
Më pas, rrëshqitjet vijuan në një segment tjetër, duke bllokuar fillimisht njërën korsi, ndërsa qarkullimi vijoi me vështirësi në korsinë tjetër.
Pak minuta më parë, situata doli jashtë kontrollit pas një rrëshqitjeje të re masive që mbuloi të gjithë trupin e rrugës, duke bllokuar të dyja korsitë.
Situata aktuale dhe masat
Sipas raportimeve nga gazetarja e RTSH 24 në terren, aktualisht aksi është i pakalueshëm. Kompania mirëmbajtëse ka vendosur ndalesa fizike në të dyja skajet e rrugës, konkretisht në Qukës dhe në Qafë Plloçë, për të parandaluar hyrjen e mjeteve në zonën e rrezikut.
Kompania po punon për hapjen e një rruge alternative provizore, por deri në njoftimin e dytë, qarkullimi mbetet plotësisht i paralizuar. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin këtë aks dhe të ndjekin rrugët e vjetra lidhëse të zonës juglindore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




