Kryepiskopi Joan: Rindërtimi i Kishës filloi nga zemrat e njerëzve
Kryepiskopi Joan ka folur për sfidat e mëdha me të cilat u përball Kisha Ortodokse në Shqipëri pas një periudhe shkatërrimi të thellë, duke theksuar se rindërtimi i saj nuk ishte vetëm fizik, por mbi të gjitha shpirtëror.
Ai kujtoi se gjendja e kishave dhe mungesa e mundësive për arsimim e bënin misionin jashtëzakonisht të vështirë, por besimi i fortë dhe dashuria për Zotin dhe Kishën i dhanë forcë për të vazhduar.
Sipas tij, vizioni i Kryepiskopit për një kishë solide dhe me të ardhme u shndërrua nga një ëndërr në realitet falë punës këmbëngulëse dhe përkushtimit të madh.
“Gjendja ishte e mjerueshme, kishat ishin të shkatërruara dhe mundësitë për shkollim nuk ishin të mëdha dhe prandaj besoj që puna e kryepiskopit ishte një punë që tregon dashurinë e madhe për perëndinë dhe për kishën. Sepse në atë gjendje krejtësisht të shkatërruar shumë veta do të kishin ikur ndoshta, këto gjëra mund të përballohen nga një besim shumë i madh. Kjo më dha mua një lloj sigurie. Fillova punë si pedagog në seminarin në Durrës dhe u dhashë mësim pothuajse të gjithë studentëve të brezit të parë. Vizioni i Kryepiskopit për kishën ishte një vizion shpresëdhënës sepse ai gjithmonë thoshte se nëse nuk ndërtohet një kishë solide nuk do të ketë të ardhme dhe kjo do ta forconte kishën tonë këtu. Fillimisht ishte një ëndërr dhe nuk ishte e lehtë. Nuk ishte thjeshtë ndërtimi i mureve, ndërtimi më i rëndësishëm ishte ndërtimi i zemrave të njerëzve”, tha ai.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan theksoi gjithashtu rolin e Kishës si faktor paqeje dhe mirëkuptimi në shoqëri. Ai veçoi Korçën si një nga mitropolitë më të rëndësishme të vendit, duke theksuar se, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga e kaluara, komuniteti ka ruajtur unitetin dhe vlerat e tij. Sfida kryesore, sipas tij, mbetet përçimi i vlerave të Ungjillit në një shoqëri të deformuar, një mision që mund të realizohet vetëm përmes dashurisë dhe bashkimit.
“Gjithmonë kisha do të përpiqet të jetë një faktor paqe dhe mirëkuptimi. Nga konfliktet janë të gjithë të humbur. Korça gjithmonë ka qenë një nga mitropolitët më të rëndësishme të vendit tonë, padyshim komunitet u dëmtuan në të gjithë vendin por Korça ruajti diçka si komunitet, mbase është komuniteti më pak i dëmtuar në kuptimin e kishën por përsëri detyra kryesore ishte bashkimi i të gjithëve dhe një nga detyrat ishte si të qëndrojnë të bashkuar dhe e dyta është se si mund të përçohen vlerat e ungjillit në një shoqëri që ishte deformuar dhe kjo ishte sfida më kryesore dhe kjo gjë duhet bërë me shumë dashuri”, theksoi Kryepiskopi Joan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



