“META” kundër ndalimit në Australi – Malajzia dhe Indonezia ndalojnë “AI” e Musk për përmbajtje të dëmshme
Gjigandi amerikan Meta ka bërë thirrje sot Australisë të rishqyrtojë ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç. Që nga 10 dhjetori, australianët nën 16 vjeç nuk mund të përdorin Facebook, Instagram, YouTube, TikTok, Snapchat dhe Reddit.
Platformat Kick, Tëitch, Threads dhe X janë gjithashtu të ndaluara për këtë grupmoshë. Kompanitë përballen me gjoba deri në 28 milionë euro nëse nuk respektojnë ligjin. Meta tha se ka bllokuar mbi 544 mijë llogari të të miturve gjatë javës para 11 dhjetorit. Nga këto, 331 mijë ishin në Instagram, 173 mijë në Facebook dhe 40 mijë në Threads.
Kompania kërkon gjithashtu që përdoruesit të verifikojnë moshën dhe të marrin pëlqimin e prindërve përpara shkarkimit të aplikacioneve. Meta i bën thirrje qeverisë australiane të punojë me industrinë për të rritur sigurinë dhe përvojën online, në vend të ndalimeve të përgjithshme. Ndërkohë, në Azinë Juglindore, Malajzia dhe Indonezia kanë ndaluar përdorimin e mjetit të inteligjencës artificiale Grok, të lidhur me rrjetin X të Elon Musk.
Ky vendim erdhi pasi Grok u përdor për të krijuar imazhe seksuale pa lejen e personave të përfshirë. Autoritetet njoftuan se masa do të mbetet në fuqi deri sa të vendosen mbrojtje të forta për përdoruesit. Vendimi i këtyre dy shteteve tregon shqetësimin global për sigurinë dhe privatësinë në internet, duke u bërë paralajmërim edhe për të tjerët.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




