Celibashi i hap rrugë referendumit, nis mbledhja e firmave për shfuqizimin e ligjit “Për barazinë gjinore”

Aktualitet | 10 muaj më parë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi të hënën kërkesën për pajisjen me fletë tip, duke i hapur zyrtarisht rrugë mbledhjes së nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi shfuqizues. Nisma qytetare synon rrëzimin e ligjit nr. 64, datë 06.11.2025, “Për barazinë gjinore”.

Kush është grupi nismëtar?

Kërkesa është depozituar në KQZ nga Komiteti Nismëtar për Referendumin “Pro Familjes”. Ky grupim përbëhet nga 16 anëtarë: Erald Aga, Ilir Zmalaj, Alberto Konti, Fatjon Softa, Petrit Levendi, Lirim Fëlluza, Armando Vrushi, Andi Tepelena, Etleva Merko, Igli Zepishta, Perparim Gjeka, Olsi Çaushi, Vladimir Kera, Besnik Muçi, Ada Lushi dhe Kastriot Çipi.

Me vendimin e sotëm të KSHZ-së, ky grupim ka tashmë autorizimin për të nisur procesin e mbledhjes së firmave të nevojshme nga qytetarët, hapi i parë ligjor drejt thirrjes së referendumit.

Në të njëjtën seancë, grupi nismëtar kishte paraqitur edhe një kërkesë tjetër paralele për një referendum mbi “çështje të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e familjes”.

Për këtë pikë, Komisioneri vendosi shtyrjen e shqyrtimit për në seancën e radhës. KSHZ i la detyrë grupit nismëtar që të qartësojë dhe saktësojë objektin e kësaj kërkese, pasi formulimi aktual u vlerësua si i paqartë për procedurat ligjore të një referendumi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme