A po shkon SHBA drejt një sulmi ndaj Groenlandës? Analisti: Ja dy skenarët e mundshëm
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka rikthyer sërish idenë e blerjes së Groenlandës për arsye të sigurisë kombëtare. Por sot qeveria në Groenlandë ka hedhur poshtë idenë e Trump për marrjen në kontroll të ishullit duke kërkuar mbrojtjen e NATO-s.
Në një intervistë për Andri Xhahun në emisionin “Në Radio”, analisti i çështjeve ndërkombëtare, Endri Tafani, tha se ideja e Trump-it nuk ka të bëjë me sigurinë e SHBA, pavarësisht pretendimeve të tij.
“Donald Trump e ka pasur fiksim Groenlandën që në mandatin e tij të parë. Është një rikthim tek ideja e vjetër. SHBA kanë baza në Groenlandë dhe nuk është se Danimarka i ka ndaluar të vendosin baza të tjera nëse është e nevojshme për të ruajtur sigurinë e SHBA në drejtim të Arktikut. Më shumë është dëshira e tij si ‘grandeur’ për të zmadhuar territorin, që t’i ngelë emri në librat e historisë, ndryshe nga presidentët e tjerë”.
Tafani shprehet se pavarësisht qëllimeve të Presidentit Trump, nuk është ai që ka fjalën e fundit.
“Për të deklaruar luftë në SHBA i vetmi autoritet është Kongresi Amerikan. Duhet të kesh vullnetin e tij për të kryer një akt agresioni. Për momentin, por edhe në planin afatgjatë, nuk është se ka aprovimin e Kongresit për një veprim të tillë. Kjo do të ishte në kundërshtim me çfarëdolloj gjëje që Amerika ka qëndruar për 150 vitet e fundit, qoftë edhe në politikën e jashtme”.
Sipas ekspertit, kjo ka pak gjasa të ndodhë, pavarësisht presionit mbi qeverinë e ishullit.
“Është një presion i madh mbi ata që janë trupi drejtues i Groenlandës, duke tentuar që të joshen për të kërkuar ata bashkimin me SHBA, që të mos jetë kjo e fundit që bën agresion. Është tentuar me Danimarkën, por ajo ka thënë ‘Jo’. Opsionet e Trump po limitohen”.
Përveç presionit, Tafani sheh të mundshëm edhe një skenar të dytë.
“Autoritetet e kanë bërë të qartë që nuk do e shesin Groenlandën. Atëherë skenarët janë dy: ose do të veprohet nëpërmjet autoriteteve të Groenlandës të cilët mund të kërkojnë ata bashkim, ose skenari i dytë është një sulm, por është më pak i mundshëm. Kjo e dëmton jashtëzakonisht shumë Amerikën në planin afatgjatë dhe nuk ofron asgjë”.
A mund të jetë shfrytëzimi i burimeve natyrore një arsye e fshehur pas idesë së Trump për të aneksuar Groenlandën për shkak të sigurisë kombëtare?
“Burimet natyrore në Groenlandë është e vështirë që t’i shfrytëzosh sepse janë nën akullnaja dhe nuk ka infrastrukturë. Që do të thotë, do harxhojë 100 miliardë dollarë për të fituar 10 miliardë dollarë. Mineralet e rralla atje janë të përziera me uranium, pra kërkon një proces të madh distilimi”, shpjegon Tafani.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mund të vijë një moment kur do t’i duhet të zgjedhë mes aneksimit të Groenlandës dhe ruajtjes së aleancës së NATO-s.
“Nuk është e thjeshtë të largohesh nga NATO, sepse po u largove nga Aleanca, largohesh nga të gjitha asetet që ka, siç është baza në Diego Garcia në Oqeanin Indian, pjesë e Britanisë. Është e vetmja bazë në atë zonë për të kryer veprime luftarake, ku mund të kapësh njëkohësisht dhe Afrikën, Gjirin Persik dhe zonat përreth”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




