Osmani: Dialogu me Serbinë të bazohet në njohje reciproke. Sorensen: 2026-a të sjellë rezultatet që munguan në 2025

Kosovë | 10 muaj më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në vend, proceset zgjedhore, sigurinë, marrëdhëniet me BE-në dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë.

Osmani theksoi se dialogu me Serbinë duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke, duke nënvizuar se suksesi i procesit varet nga trajtimi i barabartë i palëve dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura.

“Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani theksoi se dialogu duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme, të lidhura drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian, duke paralajmëruar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton rëndë procesin.

Në lidhje me marrëdhëniet Kosovë–BE, Presidentja përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë me Bashkimin Evropian.

Duke folur për perspektivën evropiane të vendit, Osmani theksoi se statusi i vendit kandidat për BE është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij, Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, deklaroi se do të punohet intensivisht që viti 2026 të sjellë rezultatet që munguan në vitin 2025.

“Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë. Urime për zgjedhjet. Pres me interes konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Ne do të vazhdojmë punën në dialog, me shpresën që 2026-a të japë atë që 2025 nuk arriti”, tha Sorensen pas takimit me presidenten Osmani.

Ai bëri të ditur se do të vijojnë përpjekjet për rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve dhe paralajmëroi edhe një vizitë të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, kur të krijohen kushtet e duhura.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme