Bild: Gjermania dërgon nëser ushtarët e parë në Groenlandë

Gjermania do të dërgojë nesër, (e enjten 15 janar), ushtarët e saj të parë në Groenlandë, njoftoi zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Ky vendim vjen pas lëvizjeve të ngjashme të Suedisë dhe Norvegjisë, në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar kërkesat që Uashingtoni të marrë kontrollin e ishullit strategjik.
Sipas zëdhënësit, më shumë se një duzinë njësish zbulimi do të dislokohen të enjten, duke shënuar fillimin e një misioni të ri ushtarak në rajon. Gazeta Bild ishte e para që raportoi për këtë operacion, duke e cilësuar si një hap të paprecedentë në politikën e sigurisë evropiane.
Trump ka përsëritur vazhdimisht në javët e fundit se Groenlanda, për shkak të vendndodhjes strategjike dhe pasurive të saj minerale, është jetike për sigurinë e SHBA-së. Ai ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhet ta sigurojnë ishullin për të parandaluar ndikimin e Rusisë ose Kinës.
“Të gjitha opsionet janë të hapura për sigurimin e territorit,” ka deklaruar Trump, duke shtuar se SHBA nuk mund të lejojë që Groenlanda të bjerë në duart e rivalëve gjeopolitikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




