“SHBA ndërhyn kudo për të ruajtur statusin si superfuqi”/ Kalemaj: Është betejë për influencë globale

Aktualitet | 10 muaj më parë

Në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, politologu Ilir Kalemaj komentoi mbi politikën e re amerikane të presidentit Donald Trump, duke e cilësuar si një qasje të hapur dhe të drejtpërdrejtë për ruajtjen e statusit të Shteteve të Bashkuara si superfuqi globale.

Kalemaj u shpreh se “ShBA do duhet të ndërhyjë në çdo pikë të globit për të ruajtur statusin e saj si superfuqi, sepse nuk mund të ketë hapësirë bosh. Kjo e justifikon ndërhyrjet jo vetëm në Venezuelë por edhe në Groenlandë apo në Iran”.

Duke sjellë në kujtesë rastin e Irakut, ai theksoi se shpesh arsyet e ndërhyrjeve nuk janë aq të thjeshta sa paraqiten nga liderët politikë.

“Edhe Xhorxh W. Bush tha se do të shpëtonte popullin iraken, por ndërkohë u justifikua me armët e shkatërrimit në masë që nuk u gjetën askund. E njëjta debat bëhet sot, si me Ukrainën dhe me Iranin,” tha Kalemaj.

Sipas tij, ndërhyrja në Venezuelë nuk lidhet vetëm me demokracinë apo të drejtat e njeriut, por edhe me bllokimin e fuqive rivale si Rusia, Kina apo Irani. “

Në thelb duket sikur ShBA po i shterr burimet Iranit apo edhe vendeve të tjera,” u shpreh ai.

Kalemaj komentoi edhe mbi tarifat e reja të shpallura nga presidenti Trump ndaj vendeve që furnizojnë Iranin.

Ai theksoi se kjo masë prek më shumë Iranin sesa Kinën, pasi “90% e naftës së Iranit eksportohet në Kinë, ndërkohë që Kina vetë importon vetëm 0,2% të totalit të saj nga Irani”.

Megjithatë, sipas tij, India është vendi që dëmtohet më tepër, pasi tashmë ka një tarifë prej 50% dhe me shtimin e 25% të reja, barra rritet ndjeshëm.

Gjithashtu  Kalemaj vlerësoi mënyrën e hapur të Trump për të shprehur interesat amerikane, që sikurse u shpreh ai,  “Për herë të parë duhet falënderuar që presidenti Trump nuk fshihet pas fjalëve të bukura si demokracia apo të drejtat e njeriut, por në mënyrë flagrante tregon se kjo është një luftë për territore, për influencë dhe për burime”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme