Gërryerja e tokave nga lumi Shkumbin-Banorët e fshatit Çermë e Sipërme në Divjakë kërkojnë ndërhyrje
Lumi Shkumbin, ndonëse është rikthyer në shtratin e tij, vijon të përbëjë një rrezik serioz për zonat përreth, për shkak të gërryerjes së vazhdueshme të tokave bujqësore. Situata paraqitet veçanërisht problematike në fshatin Çermë e Sipërme të Bashkisë Divjakë, ku gërryerja e shtratit të lumit po i afrohet banesave, duke rritur frikën e banorëve për ndonjë situatë të papritur.
Sipas banorëve, nga ura deri në zonën e banuar, lumi Shkumbin ka gërryer tokën që prej vitit 2009, në disa segmente deri në 20 metra. Fenomeni është përshpejtuar ndjeshëm gjatë muajit janar, kur pas daljes nga shtrati, rrjedha e lumit është afruar deri në 100 metra pranë shtëpive.
Fshati Çermë e Sipërme numëron mbi 4 mijë banorë, ndërsa rreth gjysma e banesave janë të ndërtuara pranë lumit, duke e bërë zonën edhe më të ekspozuar ndaj rrezikut të gërryerjes.
Gazetare: Heriselda Durmishi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




