Spiropali: Partneriteti Shqipëri–SHBA i palëkundur, ftesa e Trump për Bordin e Paqes konfirmim i kësaj marrëdhënieje

Politikë | 10 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi në një konferencë për media se partneriteti mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet i fortë, historik dhe strategjik, duke theksuar se ftesa e Presidentit Donald Trump për t’iu bashkuar Bordit të Paqes është një tjetër dëshmi e këtij bashkëpunimi të palëkundur.

Duke iu referuar deklaratave të administratës Trump dhe të ambasadës amerikane në Tiranë, të fokusuara në luftën kundër karteleve të drogës dhe pastrimit të parave, Spiropali sqaroi se prioriteti i shpallur i Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, është lufta globale kundër krimit të organizuar dhe karteleve, pa iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërisë. Ajo theksoi se këto prioritete përkojnë plotësisht me objektivat e qeverisë shqiptare.

“Shqipëria nuk përjashtohet nga fenomene të tilla, por nuk mban përgjegjësi për to. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një prioritet i yni dhe vlerësohet si i tillë edhe në raportet e Bashkimit Evropian”, u shpreh ministrja. Sipas saj, Shqipëria renditet sot në nivelin më të lartë të angazhimit për Ballkanin Perëndimor në këto fusha dhe është vend kandidat pararojë, së bashku me Malin e Zi, për anëtarësim në BE.

Më tej, ministrja deklaroi se Shqipëria ka pranuar ftesën e Presidentit amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një nismë ndërkombëtare që buron nga plani i tij gjithëpërfshirës me 20 pika.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Shqipëria synon të jetë anëtare e përhershme e këtij bordi, Spiropali sqaroi se Bordi i Paqes nuk ka në fokus vetëm Gazën, ndonëse situata atje paraqet një urgjencë më të madhe. Sipas saj, nisma parashikohet në fazën e dytë të planit të Presidentit Trump dhe hapet pas miratimit të një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

”Bordi i paqes nuk është vetëm për Gazën, edhe pse ka një urgjencë më të madhe dhe buron nga plani i paqes i presidentit Trump me 20 pika ku në fazën e 2-të për planin gjithpërfshirës, pas kalimit të rezolutës në këshillin e sigurimit të OKB, i hapet rrugë krijimit të bordit të paqes”, tha ministrja.

Spiropali sqaroi se pjesëmarrja e Shqipërisë nuk shoqërohet me detyrime financiare.

“Nuk ka detyrime financiare. Është ftesë nga president Trump, nuk ka angazhim tjetër veçse angazhimit të shpallur botërisht dhe ne sot e deklarojmë për marrjen pjesë në këtë bord. Shqipëria me statusin e anëtarit themelues të bordit të paqes, do shohë në vijim angazhime të cilat burojnë edhe nga statuti”, deklaroi Spiropali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme