Vengu pret homologun belg: Bashkëpunim për forcimin e kapaciteteve tona

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi në Tiranë një takim zyrtar me homologun e tij belg, Theo Francken, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes.
Bisedimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në organizimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, rritjen e ndërveprimit operacional dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Palët vlerësuan se këto aspekte janë kyçe për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe për garantimin e sigurisë në rajon.
Ministri Vengu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Belgjikën, duke e cilësuar atë një partnere të rëndësishme dhe aleate të besueshme në kuadër të NATO-s. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me vendet aleate mbetet një element qendror i politikës së sigurisë së Shqipërisë.
“Kënaqësi të prisja në Tiranë homologun belg Theo Francken, një mik i vyer i vendit tonë. Me Belgjikën po punojmë për të thelluar bashkëpunimin në stërvitje të përbashkëta, ndërveprim operacional dhe industrinë e mbrojtjes, si pjesë e përpjekjes për të rritur kapacitetet tona dhe sigurinë rajonale”, u shpreh Vengu.
Në një deklaratë pas takimit, Vengu u shpreh se Shqipëria dhe Belgjika ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa në fushën e mbrojtjes, duke shtuar se thellimi i këtij partneriteti do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
Takimi konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të forcuar më tej bashkëpunimin me aleatët, në funksion të integrimit euroatlantik dhe rritjes së rolit të saj në arkitekturën e sigurisë rajonale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




