Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar në rrjetin e tij social “Truth Social” pamje ekrani të mesazheve private që ai thotë se i ka marrë nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me çështjen e Groenlandës dhe politikën e jashtme amerikane.
Mesazhi nga Emmanuel Macron
Trump postoi një screenshot të një mesazhi nga Macron, të shoqëruar me mbishkrimin: “Shënim nga Presidenti Emmanuel Macron, i Francës.”
Në mesazh shkruhet pjesërisht:
“Miku im, Jemi plotësisht në një linjë për Sirinë. Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin. Nuk e kuptoj çfarë po bën për Groenlandën.”
Një burim i afërt me presidentin francez i ka konfirmuar CNN-it se mesazhi është autentik dhe se përmbajtja e tij është në përputhje me qëndrimet publike të Macron.
Tensione Francë-SHBA
Ditët e fundit, Macron e ka quajtur “të papranueshme” kërcënimin e Trump për vendosjen e tarifave tregtare lidhur me Groenlandën. Ai gjithashtu refuzoi ftesën e Trump për t’iu bashkuar “Bordit të Paqes” që do të mbikëqyrte rindërtimin e Gazës.
Kur u pyet për refuzimin e Macron, Trump u përgjigj ashpër: “Askush nuk e do atë,” dhe ngriti mundësinë e vendosjes së tarifave deri në 200% për verën dhe shampanjën franceze.
Një burim pranë Macron i tha CNN-it se: “Kërcënimet me tarifa për të ndikuar politikën tonë të jashtme janë të papranueshme dhe joefektive.”
Mesazhi i publikuar nga Mark Rutte
Në një postim tjetër, Trump publikoi gjithashtu një screenshot të një mesazhi që pretendohet se është nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ku ky i fundit e lavdëron Trumpin dhe shpreh angazhimin për të gjetur një zgjidhje për Groenlandën.
Mesazhi thotë, ndër të tjera:
“Zoti President, i dashur Donald – ajo që ke arritur sot në Siri është e jashtëzakonshme. Do t’i përdor angazhimet e mia mediatike në Davos për të theksuar punën tënde atje, në Gaza dhe në Ukrainë. Jam i përkushtuar të gjejmë një rrugë përpara për Groenlandën. Me padurim pres të të shoh. I yti, Mark.”
Trump e shoqëroi këtë postim me mbishkrimin: “Faleminderit Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s!”
Reagime dhe verifikim
CNN ka bërë të ditur se nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e mesazhit nga Rutte dhe ka kontaktuar Zyrën e Shtypit të NATO-s për koment.
Trump tha gjithashtu se kishte zhvilluar një telefonatë shumë të mirë me Rutte dhe se ishin dakordësuar për një takim me “palët e ndryshme” gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.
Rutte ka qenë edhe më parë publikisht komplimentues ndaj Trumpit, duke e lavdëruar për rolin e tij në nisjen e bisedimeve për Ukrainën dhe Rusinë, si dhe duke e quajtur sulmin e Trump ndaj programit bërthamor të Iranit “jashtëzakonisht mbresëlënës”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.