Pirdeni prezanton ligjin e ri për lobimin: Regjistër i detyrueshëm dhe mekanizma kontrolli

Politikë | 9 muaj më parë

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”.

Pirdeni theksoi se kjo nismë është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe integritetit publik.

“Për herë të parë, ky ligj parashikon rregullimin e lobimit në Republikën e Shqipërisë si një veprimtari e ligjshme, e kontrollueshme, e verifikueshme dhe transparente. Përmes regjistrimit të detyrueshëm të lobistëve dhe krijimit të regjistrit të lobimit, do të publikohet informacion i qartë dhe sistematik mbi atë se kush lobon, në emër të kujt, për çfarë çështjesh dhe me cilat institucione apo zyrtarë publikë zhvillohen këto kontakte”, tha Pirdeni.

Ministrja nënvizoi se projektligji vendos një kuadër të strukturuar ligjor për veprimtarinë e lobimit, duke adresuar boshllëkun normativ ekzistues dhe duke rritur transparencën mbi ndërveprimet e grupeve të interesit me institucionet publike.

Ligji do të zbatohet për një gamë të gjerë zyrtarësh publikë në nivel qendror dhe vendor, si dhe për çdo subjekt që synon të ndikojë në vendimmarrjen publike. Ai bën dallimin mes lobimit të strukturuar dhe veprimtarive që nuk konsiderohen të tilla, si pjesëmarrja në konsultime publike, veprimtaritë akademike apo shprehja e mendimeve pa pagesë.

Projektligji parashikon mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë. Autoriteti përgjegjës për zbatimin e ligjit do të jetë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili do të administrojë regjistrin e lobimit, të verifikojë të dhënat dhe të vendosë masa administrative në rast shkeljesh.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është parandalimi i konfliktit të interesave, përfshirë periudha ndalimi për ish-zyrtarët publikë dhe ndalime për përdorimin e informacionit konfidencial për përfitime private.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme