Kuvendi miraton me 110 vota pro aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Mazhoranca: Nder dhe përgjegjësi. PD: Votojmë për marrëdhëniet me aleatin strategjik, SHBA

Kuvendi miratoi me 110 vota pro, nga opozita dhe mazhoranca, aderimin e vendit në Bordin e Paqes, një mekanizëm ndërkombëtar i fokusuar në promovimin e paqes globale dhe menaxhimin e krizave rajonale, përfshirë situatën në Gaza.
Ftesa për Shqipërinë erdhi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, drejtuar kryeministrit Edi Rama, për t’u bërë pjesë aktive e këtij bordi.
Mazhoranca e ka cilësuar pjesëmarrjen si një akt historik dhe nder për Shqipërinë, duke theksuar përgjegjësinë për të kontribuar në paqen globale dhe rolin e vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, opozita pranoi rëndësinë e votës për marrëdhëniet me SHBA-në, por kritikoi vendosjen e emrit të kryeministrit Rama si përfaqësues nominal të shtetit në marrëveshje.
“Ne votojmë sot për marrëdhëniet me aleatin strategjik, SHBA, por refuzojmë mënyrën se si kryeministri përdor shtetin dhe aleatin tonë strategjik për interesa personale”, tha Bardhi.
Ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes” u fut me procedurë të përshpejtuar, ndërsa gjatë fjalës në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se do të ishte në Shtëpinë e Bardhë ku do të firmoste pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




