Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare në rritje mbi mesataren e BE-së, të ardhurat buxhetore 6.3% më shumë, klima e biznesit po nxit investimet

Ekonomi | 9 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi në një konferencë për media se viti 2025 ka shënuar stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik për vendin, ndërsa aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet, duke krijuar një klimë biznesi që nxit investimet.

Sipas saj, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 3.75% në tremujorin e tretë të vitit, një normë ndjeshëm më e lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian dhe rajonit. Ibrahimaj theksoi se kjo rritje është domethënëse, pasi dëshmon stabilitetin e ekonomisë shqiptare gjatë gjithë periudhës post-pandemike, me ritme rritjeje të qëndrueshme nga 3.5% në 4%.

“Viti 2025 ka treguar një stabilitet makroekonomik, aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet dhe kemi një  klimë biznesi e cila nxit investimet.

Duke filluar nga Prodhimi i Brendshëm Bruto i cili për 3-mujorin e tretë u rrit me 3.75% një normë rritëse që është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e BE-së dhe rajonit.

Kjo është një shifër domethënëse pasi tregon që ekonomia përgjatë gjithë viteve të fundit të periudhës post-pandemisë ka pasur stabilitet në rritje dhe është luhatur nga 3.5-4%.

Po jetojmë në një situatë gjeopolitike e cila ka paqartësira dhe treguesit kryesor makro-ekonomikë të Evropës tregojnë për këtë situatë të paqartë”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se, pavarësisht pasigurive gjeopolitike dhe treguesve të paqartë makroekonomikë në Evropë, ekonomia shqiptare ka ruajtur balanca të qëndrueshme. Një nga elementët kyç të këtij stabiliteti, sipas saj, janë çmimet.

Ibrahimaj theksoi se inflacioni gjatë vitit 2025 është rritur me 2.2%, një normë brenda objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë, çka tregon se rritja e çmimeve ka qenë e kontrolluar dhe në përputhje me potencialin e ekonomisë shqiptare. Ibrahimaj shtoi se inflacioni në vendet e Bashkimit Evropian ka qenë në nivele të ngjashme, me një mesatare prej 2.3%.

“Sa i takon inflacionit në vendet e BE-së ka qenë i ngjashëm me atë në vend, mesatarja e inflacionit në vendet e BE-së ka qenë 2.3%.

Elementi kryesor i cili më së shumti diskutohet është inflacioni i çmimeve të ushqimeve, i cili  është rritur me 2.6%., më lartë se inflacioni i gjithë shportës së mallrave të konsumit”, tha ajo.

Ministrja theksoi më tej se elementi më i diskutuar mbetet inflacioni i çmimeve të ushqimeve, i cili ka shënuar një rritje prej 2.6%, më e lartë se inflacioni i përgjithshëm i shportës së konsumit.

Një tjetër faktor i rëndësishëm që garanton qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, sipas ministres, është borxhi publik, i cili ka ardhur në rënie vitet e fundit. Në tremujorin e fundit të vitit 2025, borxhi publik ka zbritur në nivelin 53.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një tregues kyç për stabilitetin fiskal të vendit.

“Element tjetër që garanton qëndrueshmëri të stabilitetit të ekonomisë shqiptare janë borxhi publik. Tregues kryesor për të matur stabilitetin fiskal të ekonomisë shqiptare, ka ardhur në reduktim gjatë viteve të fundit. Në tre mujorin e fundit të 2025-ës ishte 53.4%.

Të ardhurat buxhetore, vit pas viti kanë ardhur në rritje. Për 11-mujorin e 2025, të ardhurat janë në nivelin 688 mld lekë, ose 6.3% më shumë se vitin e kaluar”, përfundoi ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme