Dëme nga erozioni në Divjakë – Deti çan argjinaturën, përparon drejt lagunës dhe tokave bujqësore
Erërat e forta që kanë arritur deri në 8 ballë dhe dallgët mbi tre metra të larta kanë shkaktuar këtë të hënë dëme të konsiderueshme në vijën bregdetare të detit Adriatik, në zonën e Divjakës. Si pasojë e motit të përkeqësuar, është çarë argjinatura ranore, duke lejuar depërtimin e ujërave të kripura drejt lagunës së Karavastasë dhe tokave bujqësore në zonën e Bedatit. Sipas të dhënave, rreth 70 metra të argjinaturës janë shembur, ndërsa specialistët theksojnë se kjo zonë është ndër më të rrezikuarat nga erozioni.
“Herë pas here deti në këtë zonë po merr tokë dhe është hera e 4 që po bëhet spostimi i kësaj argjinature ku me anë të hidrovorit po i mbajmë në nivele minimale”, u shpreh Ferdinat Dervishi, përgjegjës i Bordit të UK Fier.
Ndërkohë, bizneset turistike të zonës shprehen të alarmuara nga pasojat e erozionit, teksa pohojnë se deti ka përpirë rreth 1800 metra tokë, çka po dëmton rëndë aktivitetin dhe investimet e bëra ndër vite.
“Për 18 vite ka marr gati 1500 metra dhe duhet një investim urgjent sepse po zhduken lagunat”, tha biznesmeni, Kujtim Hoti.
Si pasojë e erozionit, deti ka përparuar drejt lagunës së Karavastasë, duke u bashkuar në disa segmente me të. Edhe pse në këtë argjinaturë është ndërhyrë disa herë ndër vite, duke u zhvendosur gjithmonë drejt tokës lagunore, ndërhyrjet nuk kanë arritur ta frenojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




