Hidrovori jashtë kontrollit, banorët e lagjes “Kushtrimi” në Vlorë përballen sërish me përmbytje

Sociale | 9 muaj më parë

Reshjet e shiut me intensitet deri mesatar, të rëna mbrëmjen e djeshme dhe gjatë orëve të para të ditës së sotme, kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në kanalet kulluese të qytetit të Vlorës, duke shkaktuar probleme për dhjetëra banorë në lagjen “Kushtrimi”, pranë hidrovorit të qytetit.

Sipas banorëve të zonës, më shumë se 10 banesa janë prekur nga përmbytjet, ku uji ka hyrë në oborret e tyre, duke rrezikuar edhe ambientet e brendshme. Ata shprehen të zhgënjyer nga situata, e cila sipas tyre përsëritet sa herë ka reshje shiu, për shkak të mosfunksionimit normal të hidrovorit.

“Sa herë bie shi, na përmbyten shtëpitë. Askush nuk merr masa dhe ne jemi gjithmonë në ankth,” shprehen banorët e zonës.

Ndërkohë, një punonjës i hidrovorit bën me dije se nga katër pompat që ka hidrovori i qytetit, aktualisht vetëm njëra është në funksion. Sipas tij, pompat dëmtohen shpesh për shkak të mbeturinave të shumta që bllokojnë sistemin, duke pamundësuar përballimin e prurjeve të ujit gjatë reshjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme