Mbrojtja e të dhënave personale, 28 janari shënon Ditën Evropiane të Privatësisë
28 janari shënon Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e njohur edhe si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë. Kjo ditë vë në fokus një nga të drejtat themelore të njeriut, të drejtën për privatësi. Në një kohë kur teknologjia po zhvillohet me ritme të shpejta, mbrojtja e të dhënave personale mbetet një shqetësim gjithnjë në rritje.
Qytetarët duhet të jenë të mbrojtur nga mbledhja, përdorimi apo shpërndarja e paautorizuar e informacionit të tyre. Njëkohësisht, kjo mbrojtje nuk duhet të pengojë qarkullimin e lirë të informacionit, që është thelbësor për shoqëritë demokratike. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përmes neneve 8 dhe 10, kërkon një balancë mes jetës private dhe lirisë së shprehjes.
Rreth 40 vite më parë, Këshilli i Evropës miratoi Konventën 108, dokumentin e parë ndërkombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo konventë vendosi standardet bazë për privatësinë në Evropë. Në vitin 2018, ajo u përditësua me Konventën 108 plus, për t’iu përgjigjur sfidave të teknologjive të reja.
Në Bashkimin Evropian, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave, e njohur si GDPR, konsiderohet sot ndër më të avancuarat në botë. Edhe në nivel vendor, është miratuar ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky ligj i ka dhënë Agjencisë për Informim dhe Privatësi rolin kryesor në mbikëqyrjen dhe zbatimin e tij.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




