DIVA- Si mund të fitoni zbritje nga taksat duke mbajtur faturat e shpenzuara për mjekim, arsimim, interes bankar të kredive

Ekonomi | 9 muaj më parë

Kush merr një rrogë vjetore 2,040,000 lekë, ose mujore mbi 100 mijë lekë, tatohet automatikisht në burim me 13 %. Mbi këtë shumë tatimi është 23 %.

Por, prej një viti, një deklaratë individuale të ardhurave detyron këdo që prek këtë kufi të deklarojë edhe vetë të gjitha të ardhurat vjetore për të rillogaritur tatimin dhe për të përfituar zbritje ose kompensime që nuk aplikohen automatikisht.

“Është kompletuar si qasje për vitin 2023–2024 dhe 2024–2025. Dhe tani, që nga data 22 janar e këtij viti deri më 31 mars të këtij viti, duhet të plotësojnë DIVA-n”, tha Enriko Ceko.

Të punësuar, vetëpunësuar, profesionistët e lirë dhe çdo individ që kërkon zbritje ose kompensim tatimor kanë mundësi, dy vjet pas zbatimit të parë të këtij detyrimi, të përfitojnë kompensim për fëmijët. Përmes DIVA-s, prindërit mund të zbresin 48,000 lekë për çdo fëmijë nën 18 vjeç dhe deri 100,000 lekë për shpenzime arsimore, edhe për ata që nuk e kanë detyrim deklarimin.

“Për ata që kanë fëmijë nën 18 vjeç, pasi plotësohet automatikisht deklarata, është një opsion “Çështjet e mia”, ku shënon që unë kam bërë shpenzime kaq lekë për fëmijën dhe kam tre fëmijë nën 18 vjeç. Do vendosësh numrin e llogarisë bankare që merr rrogën, do shkarkosh nga e-Albania certifikatën familjare dhe e ngarkon tek kjo faqe. Faturat që ke paguar për fëmijën për shkollën do t’i skanosh dhe mund t’i ngarkosh. Edhe ata që e kanë pagën më të ulët se 1.2 milion duhet ta bëjnë deklarimin”, tha Ceko.

Në pamje të përgjithshme, përllogaritjet zyrtare janë që efektet e këtij kompensimi të kalojnë 15 miliardë lekë. Ekspertët nga ana e tyre vlerësojnë se “mendohet se diku në efektin e buxhetit mund të jetë diku 21 milionë euro që do t’i kthehen qytetarëve.  

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/                                                                                           


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme